Rezoluta e grupit kuvendor demokrat për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian kaloi për shqyrtim në Komisionin e Jashtëm.
Ligjvënësit opozitarë munguan në këtë mbledhje, gjë që u komentua me keqardhje nga kryetari i komisionit, Fatos Beja, nisur nga rëndësia që ka procesi për vendin.
Fatos Beja: “Dua t’ju informoj që kemi njoftuar të gjithë deputetët socialistë. Do të ishte mirë që kjo të jetë një rezolutë, ku të jenë të gjitha forcat politike të parlamentit shqiptar, të shprehin botërisht mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave, të nxisim nëpërmjet rezolutës hapat e mëtejshëm nga institucionet përkatëse evropiane, mbi bazën e realizimit të të gjitha detyrimeve që ka shteti shqiptar. Për fat të keq, sot nuk i kemi kolegët socialistë. Unë uroj që të jenë të pranishëm në seancë parlamentare, në mënyrë që vendimi të jetë i përbashkët.”
Ky është drafti që do t’i ofrohet kuvendit për miratim ditën e enjte, bashkëngjitur disa ndryshime, kryesisht të natyrës teknike, që iu bë në komisionin e jashtëm parlamentar.
Rezoluta vlerëson rolin e parlamentit evropian dhe këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, duke parë këtë si një mundësi për forcim të lidhjeve njerëzore ekonomike por edhe kulturore.
Dokumenti parashtron kërkesën drejtuar në formën e një apeli komisionit evropian të mundësojë propozimin legjislativ për liberalizimin e vizave në fillim të pranverës 2010, gjë që do t’i hapte rrugë, si kundër citohet, marrjes së vendimit për liberalizim të vizave deri në 1 Korrik të këtij viti.
Por, ajo çfarë do t’i mbetet seancës për diskutim ndër të tjera është edhe paragrafi që flet për mbështetje të këtij dokumenti nga të gjitha forcat politike, një çështje që mbetet për t’u parë nisur nga fakti se opozita shënoi bojkotin e parë ndaj rezolutës, me mungesën në komisionin e jashtëm parlamentar./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi