Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë janë kundër ndryshimeve në ligjin për shëndetin riprodhues dhe seksual për lejimin e nënave surrogate.
“Ky projektligj i paraprin edhe shkatërrimit të plotë të konceptit të familjes, të mëmësisë dhe vazhdimësisë së jetës veçanërisht seksit femëror pa një kontroll nga institucionet publike e shëndetësore”, tha Zheni Gjergji, deputete e PD dhe kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Deputetja Gjergji thotë se disa prej ndryshimeve janë të ndaluara edhe në vende të BE-së.
“Do t’i hapte rrugën një abuzimi masiv dhe një skllavërie moderne, që e shndërron Shqipërinë në një laborator të madh kriminal. Shumë vende në Europë si Gjermania, Franca dhe Italia, e kanë të ndaluar me ligj fenomenin e surrogatisë…”, shton Gjergji.
Ndryshimet në ligjin për “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”, janë momentalisht në fazën e konsultimit publik dhe ai mund të pësojë ndryshime. E pyetur për nevojën e këtyre ndryshimeve, ministria e Shëndetësisë nuk dha sqarime.
Tv Klan