Mbledhja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ditën e sotme u shoqërua me debate mes opozitës e mazhorancës. Së pari ishte kryetarja e komisionit Zheni Gjergji e cila i kërkoi llogari ministres Albana Koçiu për standardet e shërbimeve aktualisht në spitale si dhe për zjarrin e ndodhur më 11 Shkurt në Urgjencën e QSUT-së.


Koçiu tha se ishte një defekt teknik që nuk u pasua me dëme të mëdha dhe se Urgjenca do jetë e riparuar në muajin Maj. Ndërkohë Orjola Pampuri, shtroi një sërë pyetjesh sa i takon përgjegjësve për këtë ngjarje, por edhe për koncesionet që janë nën hetim.

Orjola Pampuri-ministres Koçiu: A mundeni ju të na jepni emra konkretë të personave përgjegjës që janë përballë kësaj që ka ndodhur në urgjencë dhe e dyta të bësh investim 17 mln euro për një urgjencë e cila padyshim ka aksidente, incidente…Por, të bjerë zjarri menjëherë pasi është inagurohet?! Nuk janë pak, janë 17 mln euro që janë hequr njerëz të cilët kanë nevojë më shumë se kurrë të investohet. Këtu bie zjarri dhe ju vini në komision e flisni në mënyrë të përgjithshëm. Thoni që jeni krenare për punën, kam një pyetje, pse nuk ra zjarri në 2011-ën? Ka patur investime të herëpashershme…Kështu na thatë të jemi krenar dhe për Check-up, edhe për “Sterilizimin” por mesa duket po presim ish-ministrin për burg, apo ku do shkojë ai…Unë një pyetje kam, ka përgjegjës me emra dhe a po alokohen fonde nga buxheti i shtetit për dy koncesione që janë nën hetim dhe është vërtetuar që janë koncesione korruptive. Si po shkon puna me dializën e laboratorët? Po këto mbahen mend zakonisht, se më vonë krenaria na bie. A pranoni ju që të alokohen fonde për dy koncesione korruptive, “Sterilizim” dhe “Check-up”?

Edhe Petrit Vasili e cilësoi ngjarje të jashtëzakonshme e cila sipas tij nuk mund të “thjeshtëzohet”.

“Nuk është një defekt i vogël”, u shpreh ai.

Theksojmë se ministrja e Shëndetësisë përgënjeshtroi deklaratën e fortë të deputetes Albana Vokshi se ka pasur “4 jetë të humbura në QSUT prej zjarrit”.

/tvklan.al