Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic, komentoi vendimin e UEFA-s, që i dha Shqipërisë organizimin e Europianit U-21 për vitin 2027.

Tekniku i të kuqve, deklaroi se është lajm i shkëlqyer, duke thënë se do të jetë motivim ekstra për dy vendet. Sipas tij, iniciativa duhet mbështetura, ndërsa shtoi se në të gjithë botën do të flitet për Shqipërinë dhe Serbinë.

“Mendoj që është një lajm i shkëlqyer, fillimisht për aspektin sportiv, por edhe për aspektin ekonomik të dy vendeve. Kjo duhet të jetë edhe motivim ekstra për të dy vendet. Do isha shumë i lumtur që ky të ishte kampionati më i mirë i organizuar nga eksperiencat në botën e futbollit. Besoj që do jetë një mesazh i shkëlqyer. Mendoj që të gjithë ne trajnerët dhe ju mediat që jemi pjesë e futbollit duhet ta përkrahim në maksimum këtë iniciativë. Personalisht do të doja që të gjithë të mendonin kështu. Normalisht nuk e kam fuqinë për ti detyruar të gjithë. Paramendoj që në të gjithë botën do të flitet për Shqipërinë dhe Serbinë. Po shoh këtu që po riformatohen stadiumet dhe po përmirësohen strukturat. Edhe Serbia ka ndërtuar 3 stadiume të reja. Në raport me këtë do ketë shumë fëmijë që do merrem me sport dhe nuk do të jenë pjesë e rrugës. Ata fëmijë që do të merren me sport, sigurisht që do të kenë edhe idhujt e tyre. Po ta marrim në tërësi mendoj se është diçka fantastike”, u shpreh Veselinovic.

Veselinovic u ndal edhe të ndeshja e Kupës së Shqipërisë, mes Laçit dhe Partizanit. Trajneri vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se janë të fortë në fushën e tyre.

“Pasi luajtëm 3 ditë më parë në kampionat nesër përballemi me Laçin në Kupë. Është një ekip i shkëlqyer, një ekip që është i fortë në fushën e tyre. Na pret një ndeshje e vështirë. Do të luajmë dy ndeshje dhe ato në total mund të jenë 200 minuta. Është shumë e rëndësishme që në këto dy ndeshje për Kupë të jemi të përqendruar maksimalisht për ato 200 minuta. Faktikisht ndeshja e parë është gjysma e punës.

Kemi folur shumë për merkaton. Nëse më pyesni mua jam i lumtur që merkato është mbyllur. Ajo që është e drejtë dhe korrekte për ta thënë është që të gjithë djemtë që momentalisht janë pjesë e skuadrës janë ata që do të kenë mbështetjen maksimale dhe janë ata që do ta mbajnë Partizanin në luftë në të dy frontet.

Ajo që mund të them është që gjatë merkatos së Janarit kanë ardhur lojtarë të rinj me gjendje të ndryshme fizike. Jemi të gjithë në të njëjtin proces tani. Përgjegjësia jonë është ti përgatisim sa më shpejt dhe e tyre të përshtaten sa më shpejt dhe procesi do ta tregoj. Përgjigjja më korrekte është që koha do ta tregojë ndaj dhe unë them që e vërteta e vetme është fusha”, deklaroi Veselinovic.

Ndeshja Laçi-Partizani do të luhet ditën e Mërkurë, duke nisur nga ora 13:30. /tvklan.al