Edhe pse kanë mbetur pak ditë nga fillimi i tij Durrësi jeton dukshëm në netët e festivalit ndërkombëtar të filmit, i cili do të startojë nga data 23 deri në 31 Gusht në qytetin bregdetar.
Në garë për shtatë çmimet e këtij festivali dhe çmimin e madh, “Gladiatori i artë”, do të jenë 16 filma shqiptarë dhe të huaj të përzgjedhur mes 51 konkurrentëve nga 23 shtete të botës.
Producentë dhe organizatorë të këtij aktiviteti kanë promovuar zyrtarisht evenimentin e madh kulturor që do të zhvillohet në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për nëntë ditë me radhë.
Anila Varsi: “Duke qenë se është një moment vere ku ne jemi mes dy festivaleve shumë të mëdhenj, të Sarajevës në kohë që sapo mbaron dhe pastaj vazhdon Venecia. Kjo herë e parë na bën më të përgjegjshëm për të marrë përsipër përgjegjësi që Durrësi të arrijë dhe të kthehet në një resurs shumë të madh në qoftë se do të arrijmë të punojmë, kjo gjithmonë me ndihmën tuaj për ta kthyer këtë festival në një traditë të përvitshme”.
Sipas organizatorëve festivali pritet të jetë një qendër e dialogut mes regjisorëve, producentëve, aktorëve dhe admiruesve të kinemasë.
Xhevdet Ferri: “Jemi në prag të këtij festivali. Do të kemi një festë, do të kemi një mundësi për t’u takuar, për të ballafaquar kinematë. Për shkak të ruajtjes së traditës së festivaleve të filmit shqiptar në të kaluarën po mundohemi të bëhet edhe një kalim i butë, pra në këtë festival përveç kompeticionit ndërkombëtar festivali do të shoqërohet edhe me dy seksione të tjera. Do të jetë seksioni i filmit shqip. Sigurisht pastaj hap mbas hapi dhe energjitë e investuara e kanë garantuar këtë film falë të themi të vërtetën falë bashkisë së Durrësit, insistimit të tyre, por edhe mbështetjes së sponsorit gjeneral të këtij aktiviteti që i bie të jetë Eurosigu”.
Në këtë edicion është konfirmuar një pjesëmarrje e gjerë e personaliteteve të kinemasë botërore ku veçohet Jan Harlan, regjisor dhe producent ekzekutiv në filmat më të rëndësishëm të Stanley Kubrick, regjisori çek, Jiri Menzel, fitues i çmimit Oskar, Arta Dobroshi, Michele Placido, Rade Serbedzija, fitues i festivalit të Venecias si aktori më i mirë në filmin, “Before the rain” në vitin 1994.
Ndryshe nga ç’ishte parashikuar në festivalin e filmit nuk do të jetë prezent regjisori i njohur me origjinë shqiptare, Sten Dragoti, i cili për arsye shëndetësore nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë.
Në një letër drejtuar organizatorëve ai shprehet se kjo është një arritje e madhe për ju dhe për Shqipërinë dhe një burim frymëzimi për tregun e filmit.
Aktiviteti organizohet nga bashkia e Durrësit, qendra e filmit si dhe sponsor gjeneral kompania e sigurimeve, Eurosig./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo