Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, edhe OSBE u bashkohet zërave të faktorit ndërkombëtar që kritikon vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve. Në një deklaratë të zyrës së OSBE në Tiranë thuhet se ky akt minon demokracinë.

“Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dore nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”.

OSBE bën thirrje për të shmangur aktet e dhunës.

“Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan”.

Por përveç deklaratave publike, trupi diplomatik në Tiranë është angazhuar edhe me takime konkrete. Në zyrën e Lulzim Bashës ishte fillimisht diplomatja gjermane dhe më pas ai i Bashkimit Europian. Luigi Soreca tha pas takimit se kishte njohur Bashën me qëndrimin e prerë të Brukselit, duke i kërkuar kreut demokrat që në protestën e opozitës para parlamentit të shmangen aktet e dhunës.

“Është e rëndësishme të flasësh, ne po flasim me të gjithë palët. Nesër është një ditë e rëndësishme, shpresoj të mos ketë dhunë”,

tha ambasadori i BE-së.

Një tjetër mesazh për Shqipërinë dërgoi sërish këtë të mërkurë Brukseli. Vetë Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johanes Hahn reagoi në Twitter, pas një takimi me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj duke shprehur shqetësim për situatën në Tiranë.

“Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësinë që të avancojë më tej në reformat e integrimit europian. Kam shprehur shqetësimin tim të madh në lidhje me tensionet në rritje midis qeverisë dhe opozitës. Avancimi në rrugën e Bashkimit Europian duhet të jetë mbi interesin e partive dhe të përbëjë një qëllim kombëtar për të gjithë.”

Cakaj u prit edhe nga Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Flekenshtein i cili ripërsëriti thirrjen për maturi politike. Në takim u nënvizua rëndësia e sjelljes paqësore dhe demokratike, si parakusht për arritjen e objektivit kombëtar të hapjes së negociatave për anëtarësim gjatë këtij viti.

Zëri më kritik ndaj opozitës ishte ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Selia diplomatike e Tiranës u bëri thirrje deputetëve të refuzojnë djegien e mandateve, pasi në këtë mënyrë minohet demokracia në vend.

Tv Klan