Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka tarifuar me çmimet e reja të energjisë edhe konsumin për muajin dhjetor të 2009, ndonëse tarifat e reja hynë në fuqi prej 1 janarit të këtij viti.
Këto fatura të lëshuara nga OSSH vërtetojnë ankesat e konsumatorëve, të cilët janë përballur me fatura mjaft të kripura të energjisë elektrike.
Qytetari 1: “Këto muajt e fundit 102 mijë lek të vjetra, po ka qenë gjysma. Kanë ardhur lexuesit me datë 21-22 edhe ajo 8 ditëshi është futur me çmimin e ri.”
Qytetari 2: “Ka filluar faturimi me çmime të reja qysh me 17.02.2009 deri më 30.01.2010 dy muaj e gjysmë dhe na kanë vu me çmime të reja.”
Qytetari 3: “S’kam asnjë tjetër vetëm tek pullë. Shkoj në 10, 12 të darkës, gjatë ditës nuk jam në shtëpi fare ka vu 46 mijë lek të reja.”
Përballe këtyre fakteve qytetarët ndjehen të pafuqishëm për të gjetur drejtësi.
Qytetari 2: “Unë jam ankuar tek poligrafiku tek drejtoria e … Durrësit, tek kjo drejtori këtu. Thonë nuk përgjigjemi ne për këtë punë, përgjigjet Enti Rregullator edhe drejtoria e madhe tek Vasil Shanto. Tani më ka ngelur të shkoj edhe njëherë atje se jam pa punë edhe me luajt kot se nuk do të na zgjidhin problem.”
Tarifimi me çmimet e reja për konsumin e dhjetorit nuk është problem i vetëm që kanë qytetarët. Mjaft prej tyre mendojnë se punonjësit e OSSH-së kanë tarifuar më shumë energji nga sa ata kanë harxhuar realisht.
Qytetari 4: “I futin … i sahatit kot, sahati shkruan 6582, tani sahati i atij shkruan 3100 mbi atë. Do ta rregulloj thotë, e kur do ta rregullojë se marr vesh.”
Qytetari 5: “As nuk vjen njeri ta shohë sahatin as asnjë gjë fare, nuk do t’ia dijë kush.”
Fjorald Zguro: “Me gjithë këtë fluks ankesash nga ana e qytetarëve përsa i takon faturimit të energjisë elektrike gjatë muajit të kaluar, OSSH i hedh poshtë ato. Zyra e shtypit e këtij operatori, pohon jashtë kamerës për TV Klan se gjatë muajit janar faturimi i energjisë është bërë sipas rregullave në fuqi.”
Për këtë çështje ka reaguar edhe zyra e mbrojtjes së konsumatorit duke depozituar pranë prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj drejtuesve të OSSH-s për vjedhje me anë të mashtrimit.
Altin Goxhaj: “Në emër të zyrës për mbrojtjen e konsumatorëve sot unë paraqes këtu përballë prokurorisë informacion të nevojshëm për padi penale, për vjedhje, me anë të mashtrimit dhe me anë të mashtrimit kompjuterik për OSSH. Tashmë OSSH-në më duket se e kapën me presh në duar. Llogarisim 500 mijë konsumatorë me një vjedhje mesatare rreth 10 mijë lek po themi në muaj apo 30 mijë lek në muaj dhe bëjeni vetë llogarinë.”
Ndërkohë, Enti Rregullator i Energjisë e pranon këtë shqetësim të qytetarëve dhe i kërkon OSSH të bëjë kompensimin e duhur
Bujar Nepravishta: “Është e padrejtë që qytetarët konsumin e energjisë elektrike në ditët e dhjetorit ta paguajnë me çmimet e janarit. I jemi drejtuar zyrtarisht OSSH që të gjithë diferencën e pagesës mbi atë që i takon. Pra për ditët e dhjetorit të cilat janë paguar me tarifat e janarit, kjo diferencë duhet të kompensohet nga ana e OSSH në muajt në vazhdim.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro