Me hyrjen në fuqi të uljes së çmimit të energjisë elektrike nga 1 Shkurti punonjësit e OSSH-së që lexojnë matësit do të gjurmohen përmes një lokalizuesi të vendosur në aparatin që përdorin.
Zv.kryeministrja, njëherazi edhe Ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Ballaku tha se sisitemi i ri i vendosur në aparatin PDA të çdo faturisti synon të bëjë verifikimin e detajuar të konsumatorëve familjarë që kanë përdorur mbi 700 kWh deri tani, e që duke nisur nga Shkurti do të përfitojnë uljen e çmimit.
“Do jetë matje 30 ditore pa vonesa, pasi në rast se ju do masnit më gjatë se 30 ditë, abonenti do kalonte konsumin prej 700 kWh dhe të humbte uljen prej 10.5% të çmimit”, tha Balluku.
Administratori i OSSH-së Bledian Dalipi sqaroi se kjo masë synon të rrisë saktësinë dhe transparencën në procesin e faturimit të konsumit të energjisë elektrike, duke reduktuar mundësinë e gabimeve ose manipulimeve.
“Një abonentë që deri dje s’ka qenë në nivelin e 700 kWh në muaj dhe sot faturohet më shumë në kalojmë në një proces verifikimi, foto e saktë, vendndodhje e duhur, data e duhur.”
Ndonëse nuk përjashtohen ankesat në faturim, Administratori i OSHEE-së flet për ulje të këtij numri gjatë vitit që lamë pas.
“Në 2024 ne kemi rreth 30% të ankesave më pak se në 2023, kjo tregon se puna ka përmirësime. Ka problematike dhe po i ulim.”
Deri në vendosjen e matësave inteligjentë, zv/kryeministria Balluku tha se numri i lexuesve do të rritet, duke e çuar atë në 1 mijë punonjës.
Tv Klan