Enti Rregullator i Energjisë në mbledhjen e fundit miratoi uljen e çmimit të energjisë elektrike për të gjithë abonentët familjarë.
Duke nisur prej datës 1 Shkurt e deri në fund të Dhjetorit, çmimi i ri i energjisë ulet nga 9.5 Lekë në 8.5 Lekë për konsumin deri ne 700 KWH, pra ulet me 1 Lekë. Ndërsa për konsumin mbi këtë fashë tarifa do të jetë e pandryshuar, me 9.5 Lekë.
“Për konsumatorët familjarë që konsumojnë më pak se 700 kw/orë në muaj, çmimi i energjisë aktive do të jetë 8.5 Lekë për kilovatë, ku konsumatorët familjarë që konsumojnë 701 kilovatë në muaj e më tej për të gjithë sasinë e konsumuar duke filluar nga kilovati i parë çmimi i energjisë aktive do të jetë 9.5 Lekë për kw/orë. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatore mbeten të pandryshuara”, tha Romir Pajenga.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë ku janë rreth 1 milion përfitues ishte propozim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky vendim gjithashtu erdhi edhe për shkak të nivelit të lartë të arkëtimeve, si dhe nga ulja e humbjeve në rrjet.
Ndërkohë për të gjithë konsumatorët e tjerë jo familjare siç janë bizneset apo furrat e bukës, çmimet e energjisë mbeten të pandryshuara.
Klan News