NishaniPavarësisht projekt-ligjit të ri për ILDKP-në dhe draftin e ri të mazhorancës ku ja heq të drejtën Presidentit të Republikës, për propozimin e kreut tij, një çështje e vjetër ka mbetur ende pezull në Gjykatën Kushtetuese.

Bëhet fjalë, për kërkesën që Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka drejtuar kësaj Gjykate më datën 3 Mars të këtij viti, pra disa ditë pas shkarkimit të ish kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka dhe emërimit në të njëtën seancë parlamentare të kreut të ri Shkëlqim Ganaj. Kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti i Republikës ka objekt: “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë” si dhe “ Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Vendimit nr.14/2014 të datës 20.02.2014 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Po ti referohemi ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,  në nenin 47 të tij, parashikohet se Shqyrtimi i çështjeve në Gjykatën Kushtetuese duhet të fillojë jo më vonë se dy muaj nga paraqitja e kërkesës. Pra, në rastin konkret, kur Presidenti i Republikës e ka dorëzuar kërkesën e tij, më dt.3 Mars 2014, afati maksimal për fillimin e shqyrtimit të çështjes në fjalë duhet të jetë data 3 Maj 2014.

Por çfarë po ndodh?

Sot, zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese i pohuan Televizionit Klan, se kjo gjykatë e ka regjistruar çështjen në fjalë por pa dhënë detaje se kur do të zhvillohet seanca gjyqësore. Zyra e shtypit pranë Gjykatës Kushtetuese, tha se të dhëna të tjera mund të gjenden në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Por, nëse hap faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, konstaton se çështja në fjalë nuk do të shqyrtohet as në ditët e mbetura të muajit Prill dhe as në ditët e para të muajit Maj, ashtu siç parashikon vetë rregullorja e kësaj gjykate, pra nisjen e shqyrtimit të çështjes dy muaj pas dorëzimit të kërkesës. Çështja e parë gjyqësore, e muajit Maj, i përkon datës 6 dhe është ajo mes Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Kuvendit të Shqipërisë e Këshillit të Ministrave. Dhe asnjë çështje tjetër gjyqësore nuk është e publikuar të paktën gjerë më sot.

Mos nisja në kohë e procesit gjyqësor në fjalë , ku temë e objektit është një çështje shumë e nxehtë sa teknike, aq dhe politike vetëm sa e zgjat më shume mos marrëveshjet e ngritura mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera, si përshembull Kuvendi.

Sipas kabinetit të Presidentit të Republikës, nuk ka asnjë komunikim nga kryesekretaria e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me njoftimet paraprake, si palë pjesëmarrëse në seancën plenare.

Ashtu siç nuk ka asnjë reagim apo sqarim nga kjo Gjykatë, për arsyen e mos nisjes në përputhje me ligjin të këtij procesi gjyqësor, pra brenda datës 3 Maj, të paktën duke u bazuar në vetë axhendën e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

tvKlan