Biznesi do të paguajë taksa shtesë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas draftit të paketës fiskale 2005 tashmë i miratuar në qeveri parashikohet rritja e barrës së taksave sidomos për biznesin e vogël.

Taksat pritet të rriten për 45 mijë subjekte të bizneseve të vogla, që do të detyrohen të paguajnë taksën e tvsh-së, që prej 1 janarit të vitit 2005. Këto biznese deri tani paguanin vetëm tatimin mbi xhiron prej 4%. Duke qenë se faturat tatimore të shitjeve mungonin në shumicën dërrmuese të rasteve, këto biznese i shmangeshin këtij loj taksimi.

Rritja e taksave për bizneset e vogla që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të aktiviteteve në vend, pritet të transmetohet në rritjen e çmimeve të produkteve jetike për konsumatorët. Paketa e taksave përfshin dhe vendosjen e tvsh-së, prej 20% mbi shitjen e banesave. Kjo taksë do të hyjë në fuqi më 1 Janar të vitit 2006.

Projektligji parashikon shfuqizimin e disa taksave të tjera në ndërtim, me qëllim kompensimin e këtij tatimi. Ndërtuesit janë shprehur se kompensimi nuk është i mjaftueshëm dhe vendosja e tvsh-së do të ndikojë në rritjen e çmimeve të apartamenteve. Biznesi kërkoi gjatë përgatitjes së paketës fiskale 2005, ulje të disa taksave kryesore, por qeveria ka marrë parasysh vetëm një ulje të lehtë të tatim fitimit./tvklan.al