Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje të tjera nga brenda spitalit “Shefqet Ndroqi” që shërben si spitali Covid 2.

Drejtori i këtij spitali, Perlat Kapisyzi, thotë se për pacientët e infektuar me koronavirus kujdeset një staf prej 470 punonjësish.

2/3 e pacientëve trajtohen me oksigjen, ndërsa thekson se janë 110 pacientë të infektuar të shtruar në këtë spital. Sipas tij, në Covid 2 janë të lirë edhe rreth 30 shtretër.

“Është një staf prej 470 punonjësish ku punojnë çdo ditë me ndërgjegjie dhe ajo që është më e rëndësishme, me zemër. Janë të sëmurë të cilët kërkojnë një përkujdes shumë më të madh se sa në kohën para Covidit. 2/3 e pacientëve të shtruar në spitalin tonë janë pacientë që mund të quhen pa frikë pacientë që kërkojnë oksigjeno-terapi. Të them të drejtën, as në ëndërr s’e kam menduar që do vijnë respiratorë të tillë, duke filluar që nga respiratorët donacion, ashtu dhe respiratorët të ardhur si rezultat i ndërhyrjes së qeverisë shqiptare. Aktualisht kemi rreth 110 të shtruar, pra janë edhe 30 shtretër të lirë të cilët mund të përdoren. Kanë ardhur jo vetëm respiratorë, por edhe monitorë. Pacientët monitorohen nga afër, sidomos pacientët e rëndë, në dhomat e zakonshme. Deri dje ne ishim mësuar që monitorin ta shikonim vetëm në ambientet e reanimacionit, tani ne monitori s’na bën më pështypje ta shohim në çdo dhomë ku pacientët janë në gjendje relativisht të rëndë”, thotë drejtori i spitalit Covid 2.  /tvklan.al