panaritiSiguria e prodhimeve bujqësore në fushën e Myzeqesë është tërësisht jashtë kontrollit të Ministrisë së Bujqësisë. Fermerët e Lushnjes pranuan vetë para mediave se përdorin ngjyrosës e hormone në domatet e kastravecët. Përdorimi i ngyrosësve, sipas specialistëve të bujqësisë, është në sasi të tilla që rrezikojnë çdo ditë jetën e qindra mijëra konsumatorëve, afro 80 herë më të larta se në vendet e Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti inaguroi pak ditë më parë një laborator për kryerjen e analizave hormonale. Por specialistët thonë se ky ishte vetëm një show mediatik, pa asnjë ndikim në forcimin e sigurisë ushqimore.

Vetë shefja e laboratorit pranon se këtu nuk kryhen analiza hormonale apo të ngjyrosjes së perimeve, por vetëm ato për pesticidet. Edhe ato vetëm në rastet kur mostrat dërgohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Por çfarë e bën më të padobishëm këtë laborator, është fakti se përgjigjia e këtyre analizave del 5 ditë pas kryerjes së tyre, pra 5 ditë pas shitjes së prodhimeve ushqimore në tregun e shumicës në Lushnje.

Specialistët e bujqësisë thonë se një laborator i specializuar duhet të ngrihej pranë tregut dhe të testonte perimet ende pa u shitur, për të penguar nxjerrjen në treg të atyre që janë jashtë standardeve.

Fermerët e Lushnjes e pohuan publikisht se prodhimet që tregtojnë nuk i konsumojnë vetë, pasi janë me hormone.

Është një situatë kriminale, shprehen jashtë kamerave specialistët e bujqësisë, pasi rrezikohet jeta e qytetarëve shqiptarë. Dhe për zgjidhjen e saj, nuk mjaftojnë daljet mediatike të Ministrit të linjës, në Myzeqe apo nëpër tregjet e bulmetrave të kryeqytetit.