Në prag të zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Socialiste pas dështimit të kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit, një prej mbështetësve të Ramës në kryesinë e PS ka surprizuar me deklaratat e tij mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Pandeli Majko, një nga figurat kryesore në vite të PS, ka pranuar se kjo parti ka pësuar disfate në zgjedhje, edhe pse në fakt PS nuk ka ende një qëndrim zyrtar që pranon humbjen.
Pandeli Majko: “Aktualisht ne jemi në opozitë, ne i kemi humbur zgjedhjet”.
Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?
Pandeli Majko: “Në atë kuptim që sapo e thashë”.
Blendi Fevziu: Përse atëherë ju keni mbetur jashtë parlamentit dhe nuk jeni futur në sallën e parlamentit?
Pandeli Majko: “Kemi kërkuar një dialog të cilën e konsiderojmë mëse normal në kushtet e një sistemi demokratik, për sa i përket 4 kushteve që kemi depozituar për të zgjidhur një çështje të cilën ne e konsiderojmë thellësisht politike. E konsiderojmë thellësisht politike sepse pavarësisht se kemi pranuar rezultatin e zgjedhjeve ashtu siç është. Ne kemi një mos aprovim total politik përsa i përket procesit se si është kryer ai. Ne duam që të kemi një verifikim të plotë të të gjithë procesit”.
Blendi Fevziu: Zoti Majko ku bëhet dialogu politik?
Pandeli Majko: “Dialogu politik bëhet në parlament dhe jashtë parlamentit”.
Sipas Majkos, askush nuk përjashtohet nga përgjegjësia për humbjen, madje ai ja adreson atë edhe kryetarit në detyrë Edi Rama.
Blendi Fevziu: Ju thatë që i kemi humbur zgjedhjet dhe folëm për disa arsye. E kujt është përgjegjësia, a shihni një përgjegjësi të paktën tek Rama personalisht si kryetar partie për këto humbje?
Pandeli Majko: “Sigurisht’.
Blendi Fevziu: Fatos Nano, kryetari paraardhës dha dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet në 2005-ën. A duhet ta bënte ose të vijonte në të njëjtën gjest edhe Rama?
Pandeli Majko: “Jo, nëse do të më pyesnit. Nëse ka një paralele në këtë histori përveç aspektit formal të dorëheqjes, mendoj se nuk ka paralele. Për arsyen e thjeshtë sepse në 2005 ne kishim një mbyllje të një cikli politik, kështu që tani kemi një rirreshtim, kemi një histori tjetër, kemi një cikël të sapo filluar nga ana e PS-së në opozitë, mendoj se vendimmarrja për dorëheqjen në radhë të parë është personale. Por ashtu siç e analizoj unë mendoj se PS dhe vetë Fatosi kuptuan se u mbyllë një cikël dhe duhet të hapej një tjetër për PS-n”.
Majko ka hedhur poshtë mundësinë për një përçarje ose largimin nga radhët e PS-së, ide këto të hedhura shpesh këto në tregun e politikës së ditës./tvklan.al
Gazetari: Eno Luarasi