Ish-kryeministri socialist dhe deputeti Pandeli Majko në përballjen e të hënës në Opinion me gazetarin Blendi Fevziu tregoi në rastin më të mirë se nuk është i informuar për çka po ndodh në Partinë Socialiste ose në rastin më të keq se gënjen.

Majko mohoi që në protestën e PS të jetë folur për rrëzim të qeverisë me forcë.

Blendi Fevziu: “Zoti Rama është shprehur në miting që Berisha ikën vetëm me forcë. Ç’domethënë ikën me forcë?”

Pandeli Majko: “Ku e keni? E keni kështu në atë…”.

Blendi Fevziu: “Në mitingun, zoti Rama e ka deklaruar në miting”.

Pandeli Majko: “Jo.”

Blendi Fevziu: “Si nuk e ka deklaruar?”

Pandeli Majko: “Jo.”

Blendi Fevziu: “Po këtu e kanë nxjerr nesër në edicionin e lajmeve, si nuk e kam…”.

Pandeli Majko: “Jo, në qoftë se kjo do të ishte deklaratë e tillë kjo do të ishte goxha serioze dhe ti si gazetar që për sa të njoh, të lutem, ti si një gazetar po atëherë duhet të fillonte intervista pikërisht me këtë.”

Blendi Fevziu: “Atëherë po i them stafit ta kërkojmë tani nga fjalimi i zotit Rama në lajmet. Regjia të ma kërkojë pak në miting, është fjalimi i ditës së premte në mbrëmje dhe titujt e gazetave të ditës së shtunë e kanë cituar të gjitha. Nëse unë do t’i kisha këtu gazetat e të shtunës e kanë cituar të gjitha. Janë shprehur që Rama thotë Berisha ikën me forcë”.

Pandeli Majko: “Nuk e ka thënë ikën vetëm me forcë.”

Blendi Fevziu: “Jo vetëm. Ikën me forcë.”

Pandeli Majko: “Ikën me forcë ë? Jo.”

Por për të përgënjeshtruar Majkon ka menduar vetë kryetari i tij në fjalimin para simpatizantëve e militantëve socialist, sigurisht pa patur si qëllim nxjerrjen bllof të deputetit të tij.

Edi Rama: “Shkurt dhe troç. Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.”

Majko tregoi gjithashtu se është i painformuar edhe me qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj mosmarrëveshjeve mes mazhorancës dhe opozitës kur tha se dikush nga përfaqësuesit diplomatik ka folur për krizë politike. Në rastin më të keq edhe këtë e ka bërë me dashje./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle