Lajme Arkiva 2004
Pandeli Majko: “Të dashur ushtarë, nënoficer dhe oficerë! Ju uroj mbarësi dhe shëndet! Është hera e katërt që një kompani paqeruajtëse shqiptare niset me mision paqeruajtës në Afgnistan. Një vit e gjysmë shërbimi mjafton që të krijohet një traditë. Ju po niseni sot t’i bashkëngjiteni sërish një pjese të juaj dhe të bëheni pjesë e një tradite të shkëlqyer shërbimi, sakrifice dhe suksesi, të cilën e kanë shkruar të tjerë djem të rinj që kanë shërbyer me krenari nën të njëjtin flamur. Kompanitë shqiptare në Afganistan e nisën misionin e tyre duke i dhënë atij një përmasë të veçantë jo vetëm ushtarake, por edhe politike, të bindjes së thellë që duke luftuar për paqen në Afganistanin e largët, se duke shërbyer për jetën, lirinë dhe stabilitetin atje, në të njëjtën kohë i shërbejnë Shqipërisë, emrit të saj të mirë, i shërbejnë dinjitetit të saj në familjen e madhe të kombeve të qytetëruar që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë. Parë me këtë sy, Afganistani, por edhe Iraku, Bosnjë Hercegovina, Gjeorgjia e kudo tjetër ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë, nuk janë më të largët. Kjo është rruga që ne kemi zgjedhur të gjithë. Ju jeni pjesë e zgjidhjes sonë politike, historike dhe morale për të qenë pjesë e pandarë dhe palë në sfidën globale kundër tiranisë dhe tiranëve, kundër tmerrit të terrorizmit për të qenë punëtorë të paqes dhe të botës së të nesërmes. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, janë konsideruar si një segment progresiv shoqërisë shqiptare, në përpjekjet e saj për integrim dhe plotësim të standardeve euro-atlantike. Ju jeni një nga pjesët më të rëndësishme të këtij segmenti dhe për këtë duhet të jeni krenar dhe ne jemi krenar për ju. Duke u nisur në një mision të tillë në Afganistan, ju jeni pjesë e Shqipërisë sonë atje. Ne së bashku me familjet tuaja, presim së bashku suksesin tuaj të përsëritur për disa nga ju. Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e saj, do të qëndrojnë pranë jush si gjithmonë për të respektuar sakrificën tuaj dhe për të nderuar misionin tuaj fisnik. Gjashtë muaj më pas kur të ktheheni sërish ju do të keni fituar një përvojë të rëndësishëm. Ju presim që të ndajmë së bashku këtë përvojë për të vazhduar të konsideroheni si pjesë e rëndësishme e asaj tradite të re të Forcave tona të Armatosura për të ndarë krenarinë tonë të ligjshme. Mirë u kthefshi, shëndoshë, krenarë dhe me një mision të suksesshëm, ju faleminderit!”