Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pandeli Majko:- Është një përgjegjësi që ka qeveria shqiptare kundrejt kërkesave të gjykatës së Hagës. Kujtoj që në 1999, qeveria shqiptare ka pasur një marrëveshje me gjykatën e Hagës për të mbledhur të dhëna dhe me këtë rast është kaluar një vendim i posaçëm për këtë problematikë. Në vazhdimin e kësaj, besoj që e kujtoni edhe vizitës e zonjës Karla del Ponte në Tiranë dhe në takimin që ka pasur me Presidentin e Republikës, me kryeministrin, me mua. Janë diskutuar një varg problemesh, të cilat sigurisht ne kemi marrë detyrimet tona. Ajo që është e rëndësishme të thuhet, është se bëhet fjalë për disa materiale të karakterit përgjithësisht konfidencial, nuk mund të thuhet që ne ishim shumë të prirur për të dhënë të tilla informacione që kanë të bëjnë edhe me probleme të sigurisë kombëtare, por e vendosëm ta bëjmë këtë, pasi janë gjëra të cilat nuk kanë të bëjnë thjesht dhe vetëm me Shqipërinë.

Aktualisht nuk është ndonjë fakt i panjohur, struktura të armatosura të ish-Jugosllavisë, apo të Serbisë, janë sjellë në një mënyrë që i kalon çdo rregull normal të sjelljes së një force të armatosur, për të thënë hapur janë sjellë si një strukturë terroriste, në kushtet e një gjendje siç ishte ajo e Kosovës, në prag dhe pas bombardimeve të NATO-s.

Ka më se një vit që janë dërguar në gjykatën e Hagës, problemi është që do të shkojnë edhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, për të thënë fjalën e tyre rreth këtyre dokumenteve. Kjo është një detyrë sa e jona përballë gjykatës së Hagës, por në fund të fundit edhe për t’u bërë pjesë e transparencës që ka ndodhur në Kosovë. Se kam përshtypjen se po ngatërrohen pak gjërat dhe pa i lënë të ngatërruar, ne do të japim provat që zotërojmë”.

Gazetarja:- Çfarë volumi ka ky material dhe a është konsideruar nga gjyqtarët e Hagës, si mjaftueshëm për t’u klasifikuar si provë për krimet kundër njerëzimit?

Pandeli Majko:- “Me zonjën Ponte, pa dashur të bëjë shpjegime të stërgjatura, kemi pasur një bisedë mjaftë të ngrohtë dhe dëshirojë të them që ata e kanë parë me mjaft interes materialet që ka dhënë Ministria e Mbrojtjes dhe shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Shqipërisë. Dëshiroj të them, që janë fakte të një karakteri që kanë të bëjnë edhe me një varg problematikash që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, por ishte vendimmarrja e Presidentit të Republikës, që ne vendosëm që kjo të bëhej përfundimisht publike dhe ne të merrnim pronësinë për këto materiale, të cilat në fakt fillimisht i çuam në rrugë konfidenciale. Jam i bindur që do t’i vlejnë zbardhjes së një varg problemesh dhe sjelljes së forcave të armatosura të ish-Jugosllavisë pasi po krijohet një lloj mjegulle, sikur atja ka ndodhur diçka që ndodh normalisht në vendet nën konflikt, në fakt nuk është ashtu”./tvklan.al