Thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave që të bashkëveprojnë pa vonesa

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës së shkaktuar nga pandemia në vendin tonë. Në marrëveshjen e nënshkruar në Tetor parashikohet që Shqipëria të marrë një hua prej 15 milionë Eurosh.

Këto para parashikohen që të përdoren për mbështetjen e sistemit shëndetësor për të reaguar ndaj pandemisë menjëherë dhe në periudhë afatmesme. Janë tre drejtime ku fokusohet kjo mbështetje.

“Së pari, parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Së dyti, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe sëmundje që lidhen me të. Së treti, masat për distancimin fizik dhe komunikimin në distancë”, njofton presidenca.

Megjithatë, Meta në deklaratën e tij ppër shtyp thotë se konstaton me keqardhje se Kuvendit i janë dashur 11 ditë ta përcjellë në Institucionin e Presidentit për shpallje këtë ligj pas miratimit.

“Presidenti Meta nxit Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, që të bashkëveprojnë më ngushtë dhe pa vonesa në mënyrë që çdo mbështetje financiare e huaj të vihet në efektivitet sa më shpejt me qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor shqiptar, për të përballuar situatën e pandemisë COVID-19”, thuhet në deklaratën e Presidencës, ndërsa  shtohet se për shkak të rëndësisë së marrëveshjes me BERZH, presidenti ka reaguar menjëherë dhe e ka dekretuar atë pa vonesë./tvklan.al