Pak ditë përpara mbledhjes së kongresit të jashtëzakonshëm të socialistëve, nga ku pritet të dalë dhe emri i ri i kryetarit të selisë rozë, gazeta Panorama publikon në numrin e saj të sotëm një shkresë ku kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Socialiste, Genc Gjonçaj, i dërgon  sekretarëve të Partisë Socialiste në rrethe të dhëna për listën e anëtarësisë e cila do të marr pjesë në zgjedhjen e kryetarit sipas parimit një anëtare një votë.

 Në të njëjtën shkresë zyrtare që mban firmën e Gjonçaj bëhet kërkesë për marrjen e informacionit mbi emrat e komisionarëve që do të marrin pjesë në procesin e votimit.

Shkresa është një shkelje e dukshme që u bëhet procedurave zgjedhore në Partinë Socialiste pasi ajo është hartuar dhe më pas është shpërndarë pa u zhvilluar me pare mbledhja e komisionit zgjedhor të Partisë Socialiste, ndërkohë që kodi zgjedhori i kësaj partie e përcakton qartë nisjen e shkresave të tilla vetëm pasi mblidhet ky komision atëherë kur nis dhe puna për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.

Gazeta Panorama zbulon të tjera komprometime që kryesocialisti Rama po tenton t’i bëj këtyre zgjedhjeve duke kërkuar me çdo kushte rizgjedhjen e tij pas ndërprerjes së mandatit që erdhi si pasojë e humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Kështu gazeta Panorama publikon faktin se kryetari i komisionit në Partinë Socialiste, Genc Gjonçaj, është i punësuar në bashkinë e Tiranës çka e komprometon procesin për zgjedhjen e kryetarit.

Gjonçaj do të ketë kompetencën për administrimin e të gjithë procesit zgjedhor dhe fakti që ai është i punësuar në institucionin që drejtohet nga Rama lë shumë vend për dyshime që ky proces do të jetë i ndershëm dhe i pamanipulueshëm./tvklan.al