Nga 26 korriku deri në 11 gusht në Paris do të mbahet edicioni i 33 i lojërat olimpike. Vendi ynë merr pjesë për herë të 10 në këtë event dhe këtë vit do të përfaqësohet nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme.
Përpara nisjes në Paris, 6 prej tyre u priten nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Një nga sportistët që do përfaqësojë në Paris flamurin kuqe e zi, është kampionia në Atletikë, Luiza Gega, e cila beson se mund të kthehet me një medalje nga ky event.
“Lojërat Olimpike janë ëndërr për çdo sportist. Jam e sigurt se i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Sigurisht, ne presim gjithmonë e më mirë, por gara është garë”.
Ndërsa kryebashkiaku mendon se dhe investimet e Bashkisë së Tiranës për sportin kanë patur efektet e tyre tek performanca e sportistëve.
“Gjashtë sportistëve të Tiranës u uroj vetëm sukses dhe sigurisht, edhe medalje. Jam shumë shpresëplotë për të gjithë investimin që Bashkia e Tiranës ka bërë për forcimin e klubit dhe fakti se 75% e skuadrës olimpike vjen nga Sport Klub Tirana e tregon këtë. Është një investim jo vetëm në emra të përveçëm, por në të gjithë kulturën e marrjes me sport. Më bëhet vërtet zemra mal kur shikoj se e kemi masivizuar sportin pasi Tirana mbajti edhe titullin Kryeqyteti Europian i Sportit”.
Veliaj vlerëson faktin se vitet e fundit shumë talente të huaja kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticione të ndryshme sportive.
Tv Klan