Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Raporti i Komisionit Europian për vitin 2004, u cilësua nga kryeministri Fatos Nano në Kuvend, si më realisti për Shqipërinë. Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij pranoi edhe kritikat sidomos ato mbi punën e administratës.

Fatos Nano: “Më lejoni që në fillim të përsërisë edhe para jush të nderuar deputetë, vlerësimin tim për raportin, që edhe këtë vit ishte mjaft realist, madje do ta cilësoja nga më realistët e bërë ndonjëherë për Shqipërinë”.

Zoti Nano tha, se procesi i integrimit nuk është vetëm detyrë e qeverisë. Nuk mund të presim vlerësime të shkëlqyera, kur opozita bën zhurmë shtoi ai.

Fatos Nano: “Natyrshëm nuk mund të presim që vlerësimet për Shqipërinë të shkëlqyera, përsa kohë që opozita prodhon zhurmë, në vend të politikës, apo hedh baltë me arrogancë në përpjekjet e mundimshme të popullit dhe të vendit të vetë, për t’ju afruar Europës, aq sa cilësohet kjo opozitë edhe si destruktive nga opinioni zyrtar ndërkombëtar. Qëndrimet e përfaqësuesve të PD-së, në rastin më të fundit, në Asamblenë Parlamentare të KE, janë modeli më i qartë, se si paaftësinë e tyre për t’u integruar në proceset reformuese që realizohen në vend, kjo politikë e papërgjegjshme i kthen në kosto për të gjithë vendin. Natyrshëm nuk mund të presim, që vlerësimet për Shqipërinë të jenë të shkëlqyera, kur individë të çfarëdo krahu edhe këtu në Kuvend, nxisin tendenca vetëshkatërrimi, vetëizolimi, apo kur mllefi personal politik, mbyt logjikën më të thjeshtë për politikën realiste dhe të dobishme. Në kohën kur ju vidhnit vota dhe i nxirrnit rezultatet e votimit mbi 120%, unë isha i burgosuri juaj politik. Minimalisht duhet të kërkoni të falur, t’u kërkoni të falur shqiptarëve”.

Sali Berisha: “T’i u burgose si hajdut”.

Servet Pëllumbi: “Zoti Berisha ulu, mbaj qetësi, ka rregulla Parlamenti nuk bëhet rrëmujë, nuk jemi as në shesh as në rrugë”.

Fatos Nano: “Ulu zoti Berisha, se arroganca jote nuk të çon larg”.

Kryeministri Nano ftoi opozitën për bashkëpunim.

Fatos Nano: “Unë kam kënaqësinë t’ju ftojë zoti Berisha, si lideri i opozitës të bashkoheni me delegacionin  e nivelit shumë të lartë shqiptar, që do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Stamboll, në Qershor të këtij viti. Këtë ftesë e bëjë jo vetëm për në Stamboll, por për të punuar së bashku gjithkund ku ka nevojë për forca të bashkuara që sjellin ritme të larta, duke filluar qysh nga problemet e gjakmarrjes deri tek zgjidhja e problemeve të shqiptarëve jashtë vendit”.

Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin, se është ai që pengon integrimin e Shqipërisë.

Sali Berisha: “Ti je armik kryesor i votës së lirë të shqiptarëve dhe integrimit të tyre, sepse ti, pas miratimit në Qershor të vitit 2003, të reformës zgjedhore, për të cilën BE shpenzoi miliona dollarë, me sanxhakët e tu e përmbyse atë dhe jo si qeveritarë, por si ordiner i vërtetë, bllokove për herë të parë në 13 vjet, totalisht fondet për partitë kundërshtare, duke shpenzuar vetë me mafien tënde miliona dollarë. Me Fatos Nanon, nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Ne do të largojmë ty, si pengesë kryesore për të zhvilluar zgjedhjet e lira”.

Ndërsa Ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi, nuk arriti të përfundonte fjalën, pasi koha në dispozicion të saj përfundoi./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini