Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Parlamenti është mbledhur në mesditë me konsensusin e plotë të deputetëve tifozë të kampionatit evropian të futbollit. Kryeministri Fatos Nano u është përgjigjur në tre interpelanca deputetëve të opozitës. Në lidhje me procesin e mbylljes së skemave piramidale, kërkuar nga legalisti Spahia, kryeministri deklaroi, se në fund të vitit 2004 përfundon i gjithë procesi i transparencës së likuidimit të kreditorëve, në masën 10-11%.

Fatos Nano: “Pavarësisht nga fakti se sa do të jetë kjo shifër, më lejoni zoti Spahia të kujtojë për ju, se askush në këtë botë dhe as zoti në qiell, nuk do të mund t’u kthente nënave dhe vatrave familjare ata mijëra djem dhe vajza që humbën jetën në vitet 96-97. Deri në fund të vitit 2004, do përfundojë plotësisht, procesi i administrimit të tyre. Kjo do të thotë, likuidim i plotë i vlerave të rikuperuara dhe shpërndarje e strukturës shtetërore që u morr me ketë problem”.

Deputeti Spahia, akuzoi socialistët për administrim të 24 firmave piramidale. Sipas tij, kreditorëve u mbahen peng 285 milion dollarë.

Ekrem Spahia: “Janë 100 milion dollarë kesh, që lëvizin nga komisioni i administrimit drejtuar nga Arapi dhe zyrës së përmbarimit dhe ky pingpong vazhdon kaq vite. Janë 150 milion dollarë nga vlerat e aseteve, që kanë humbur si rezultat i shitjes me çmime qesharake, nga Arapi në raport me çmimet e tregut të ditës dhe janë 30-35 milion dollarë të identifikuara si pasuri e kompanive huamarrëse, ndodhen nëpër bankat e huaja dhe nuk janë riatdhesuar edhe sot”.

Deputeti i Ballit Kombëtar Uran Metko, mbeti i pakënaqur nga interpelanca me kryeministrin Nano, për çështjen çame dhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Nisur nga takimi i suksesshëm me homologun Karamanlis, kryeministri Fatos Nano tha, se është zgjidhur problemi i legalizimit të emigrantëve që punojnë në Greqi.

Fatos Nano: “Abuzimi ka lindur si pasojë e një liste të rishikuar personash të pa dëshiruar për të gjitha vendet anëtarë të marrëveshjes Shengen dhe jo vetëm për Greqinë. Lista i referohet sistemit CSIS, përbëhet prej 698 mijë personash nga e gjithë bota, ndërkohë që 64 mijë e 717 persona janë të padëshirueshëm për Greqinë. Unë dhe kryeministri Karamanlis, shqyrtuam me vëmendje e duhur dhe shprehëm vullnetin e përbashkët politik për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura nga e shkuara historike, në rastin konkret edhe çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe të shtetasve grekë në Shqipëri”.

Për TEC-in e Vlorës në përgjigje të deputetit Dilaver Qesja, kryeministri Nano tha, se ky është investimi i parë që nga viti 1986 dhe se kostoja e njësisë së prodhuar nga TEC-i i Vlorës është më i ulët se ai i prodhuar nga rehabilitimi i TEC-it të Fierit, sikundër pretendonte deputeti demokrat./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj