Lajme Arkiva 2004

Parlamenti mbajti një minutë heshtje në nderim të humbje së jetës së presidentit maqedonas Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident ajror gjatë mëngjesit. Çështja çame përbën dhe diskutimin e parë të seancës së Kuvendit.

Deputeti iniciator i rezolutës Shpëtim Roqi, kërkoi që për miratimin e rezolutës të merrej në konsideratë zhvillimi i zgjedhjeve ne Greqi. Opozita insistoi në miratimin e saj në seancën e paradites, ndërsa mazhoranca u shpreh për diskutimin e draftit në të gjitha komisionet parlamentare.

Bamir Topi: “Nuk ka kurajën besoj asnjë parlamentar në këtë Kuvend të shprehet kundër kësaj çështje dhe besoj të gjithë do të ishim të interesuar që këtë projektrezolutë, ta kthejmë në rezolutë me një konsensus të plotë”.

Gramoz Ruçi: “Komisioni i jashtëm të rimblidhet të informohet nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë për ecurinë e rezolutës 8 mujore që kemi miratuar nga ky parlament, të primar draftin e propozuar nga nismëtarët , duke rregulluar dhe anën teknike dhe të jetë në unison me rezolutën e mëparshme dhe parlamenti të ulet dhe ta shqyrtojë”.

Ashtu si në mbledhjen e sotme të byrosë parlamentare, në fillim të seancës u vendos që çështja e pronave çame të diskutohet më 19 Mars.

Kuvendi miratoi  me 92 vota pro ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Serbinë, Mali e Zi dhe Moldavinë , kundër së cilës u shpreh deputeti socialist Pepa, u miratua projektligji për një shoqëri gjinore të barabartë si dhe ai për prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bio.

Në votimin për anëtarët e komisionit të konkurrencës, deputetët e Partisë Demokratike sërish kanë braktisur sallën e Kuvendit, pasi nuk ranë dakord me emrat e propozuar nga qeveria dhe kuvendi për këtë komision./tvklan.al