Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me një kërkesë të deputetëve të Partisë Demokratike Bamir Topi dhe Shaban Memia, për caktimin e një seance të posaçme brenda këtyre dy javëve, ku të diskutohet për shkarkimet e fundit në Ministrinë e Rendit.
Bamir Topi: “Grupi parlamentar i PD, shprehet me shqetësim, jo për individët, por shprehemi për linjën aspak transparente dhe jo në përputhje me principet e funksionimit të strukturave dhe të emërtesave të Ministrisë së Rendit”.
Shaban Memia: “Tërë shkarkimet që ka bërë deri më sot, tërë largimet që ka bërë deri më sot, nuk janë të shoqëruara me kallëzime penale në funksion të shqetësimeve që ka pasur ky institucion, por janë argumente dhe motive aksidentale, ku theksohet në mënyrë të veçantë, shkelje e disiplinës së punës, shkelje e betimit të punonjësit të rendit dhe në qoftë se ka një shqetësim të madh, kjo nuk do të thotë, që ne nuk duhet të paraqesim në seancë plenare. Komisioni do bëjë punën e vetë, por ne shqetësimin nga komisioni do ta sjelim dhe në seancë plenare”.
Kjo ide është kundërshtuar nga deputeti socialist Petro Koçi.
Petro Koçi: “Kam përshtypjen, që me këtë lloj propozimi dhe që deri diku u pranua nga ju u kapërcyen kompetencat parlamentare. Komisioni, si çdo komision tjetër nuk është një komision disiplinor i një ministrie apo i një tjetre, natyrisht parlamentarët janë të lirë të komunikojnë me çdo qytetarë të vendit, por komisioni përkatës, pra i rendit dhe i SHISH-it ka për detyrë, nëse lindin shqetësime nga anëtarë të këtij komisioni, të kontaktojë zyrtarisht me titullarët e dikasterit dhe të kërkojë sqarime lidhur me procese të ndryshme përfshirë edhe ato të emërimeve, apo të shkarkimeve”.
Seanca vazhdoi me interpelancën e dy ministrave. Ministri i Transportit Spartak Poçi ishte thirrur nga disa deputetë të të dy krahëve, lidhur me çështjen e ndërtimit, apo riparimit urgjend të disa akseve rrugore. Sipas zotit Poçi për të gjitha këto akse ekzistojnë tashmë projekte të cilat janë në zbatim e sipër.
Ministri i Energjetikës Viktor Doda, qe thirrur në interpelanë nga deputeti Besnik Muastafaj, i cili pretendon, se në zonën zgjedhore 37 në kryeqytet, energjia elektrike ndërpritet për një kohë më të gjatë se në zona të tjera, pikërisht për shkak se votuesit e saj kanë votuar për PD. Ministri Doda është shprehur, se zona zgjedhore në fjalë nuk paguan rreth 60% të energjisë elektrike të shpenzuar. Ky debat ka mbyllur dhe seancën e sotme në Kuvend./tvklan.al