Opozita ka braktisur edhe seancën e fundit parlamentare të kësaj legjislature. Deputetët e majtë u larguan nga salla pak minuta pas fillimit të punimeve. Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj dha edhe arsyet e këtij vendimi, i cili ngjalli debate mes dy kaheve politike.
Valentina Leskaj: “Për këtë mazhorancë më shumë sesa problemet, sesa hallet e shqiptarëve ka rëndësi nepotizmi kryeministror dhe ka rëndësi mbrojtja e familjes kryeministrore. Është vrarë një politikan i opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ne presim një përgjigje serioze të cilën deri sot nuk e kemi marrë. Ecuria e deritanishme e procesit të nderuar koleg nuk jep asnjë garanci se të gjithë shqiptarët do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. T’i harroni zgjedhjet pa karta”.
Jozefina Topalli: “O sa keq ju ka përdor mor vëllezër, o si ju ka pa mor vëllezër dhe në fakt në shtator s’do të jeni as në opozitë. Mu më vjen për ju, unë ju du, unë ju vlerësoj për aq sa keni parë gjatë këtyre 4 viteve. Po gjë më të keqpërdorume sesa shumicën prej jush, unë s’kam pa. Po jeni kthy në një SHPK mor shok. Shokët e PS po po s’pati leje ndërtimi ju nuk hyni në parti mor, po, po s’pat leje ndërtimi ju nuk hyni në kryesi, po po s’pat leje ndërtimi nuk hyni në grupin e ri parlamentar”.
Edhe kryeministri Berisha, e cilësoi shumë të rëndë largimin e opozitës nga salla e kuvendit, në kohën kur ishte parashikuar të votohej ligji për gjykatën administrative, një ligj ky shumë i debatuar e që kërkon 84 vota për t’u kaluar.
Sali Berisha: “Kur nuk ke parim tjetër përveç biznes klientelës, atëherë gjykata nuk të duhet. Sepse të intereson të bësh dhe gjykatësin dhe hetuesin, dhe prokurorin, dhe të gjitha. Të intereson të japësh vetes dhe vegjlit tënd 19 leje ndërtimi në një seancë të vetme të KKRT-së kundrejt 28 të aprovuara gjithsej. Prandaj dhe na duhet gjykata thotë zotëria, se me gjykatë nuk mundesh kurrë, di të përzgjedhësh studion tënde dhe t’i japësh asaj 19 leje. Gjykata u shndërrue në atë që Shekspirit thotë “grackën ku shpirti i kleptokratit kapet si laraska”.
Në këtë seancë u votuan disa ligje të rëndësishme, por jo ai për kalimin në progresi pa shpërblim të tokës bujqësore, pasi nuk u arritën votat e nevojshme, sepse republikanët u larguan nga salla duke e kundërshtuar variantin e qeverisë.
Arjan Madhi: “Grupi parlamentar i PR deklarohet kundër dhe njëkohësisht kur të votohet ky ligj grupi parlamentar nuk do i bashkohet mazhorancës po do të jetë jashtë sallës kur ligji do votohet”.
Por votat e mazhorancës bënë që të kalojnë një numër i madh projektligjesh dhe marrëveshjesh, mes të cilave edhe kredia për rrugën Durrës-Kukës, projektligji për gjendjen civile, taksat kombëtare, shërbimi postar, si dhe ratifikimi i 5 marrëveshjeve./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro