Me një konsensus të gjerë parlamenti miratoi dekretin e presidentit Topi për kodin zgjedhor dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në seancën plenare të së hënës.

Pas rishqyrtimit të kodit zgjedhor në komisionin e reformës elektorale kuvendi kaloi me 116 vota pro vendosjen e një dispozite kalimtare që e mundëson kreun e shtetit të nxjerrë dekretin brenda një afati të caktuar kohor vetëm për zgjedhjet parlamentare të 2009-tës.

Po me të njëjtin konsensus të gjerë deputetët e opozitës socialiste ashtu siç pritej dhanë okay-n dhe për ligjin e prokurorisë duke e konsideruar atë si një ligj nga ku nuk përfiton as kryeministri Berisha dhe as Partia Socialiste.

Nënkryetari i grupit kuvendor, Erion Braçe, duke ftuar mazhorancën për një konsensus më të gjerë kërkoi nga Ministri i Drejtësisë të merrej në konsideratë dhe propozimi që parashikon rikthimin e prokurorëve në krye të detyrës pas procedimit penal ndaj tyre.

Erion Braçe: “Ndryshimet që vijnë sot këtu kanë konsensus të gjerë politik, kanë edhe garanci ndërkombëtare, vlerësime pozitive nga misioni EURALIUS dhe OPDAT. Ligji që vjen sot nuk është një ligj që përmbushte interesat e Partisë Demokratike, qeverisë së saj dhe kryeministrit Sali Berisha. Ne nuk e kemi dashur prokurorinë si pjesë të Partisë Socialiste. Do t’ju ftoja që konsensusi të zgjerohej edhe më shumë, veçanërisht për nenin 17, i cili i jep të drejtën prokurorëve që në rast se ata fitojnë të drejtën lidhur me një procedim ndaj tyre të rikthehen në vendin e tyre që kanë patur”.

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndërsa garantoi deputetët dhe grupet e interesit se ky ligj nuk cenon pavarësinë e prokurorëve u shpreh se bashkëpunimi me OPDAT dhe EURALIUS është një garanci më shumë, ndërsa në lidhje me propozimin e socialistëve Alibeaj u shpreh:

Enkelejd Alibeaj: “Ky ligj sjell një përfaqësim dhe rregullim të përfaqësimit të shkallës hierarkiste në sistemin e prokurorisë, sjell shmangien e konfliktit të interesit, vendos kushte objektive të qarta dhe të sakta për emërimin e prokurorit të përgjithshëm dhe të gjithë prokurorëve të tjerë, sjell riformatim të këshillit të prokurorisë. Logjika që kemi ndjekur në momentin kur kemi vendosur dhe kemi diskutuar me të gjithë ekspertët për të përcaktuar që në rastin kur një prokuror sfidon aktin e shkarkimit të tij në Gjykatën e Apelit dhe e gjen atë dhe del fitues jemi munduar të përcaktojmë që prokurorit i duhet dhënë i gjithë dëmshpërblimi për atë çfarë ka humbur”.

Në këtë mënyrë kuvendi i Shqipërisë mbylli edhe sesionin e punimeve për këtë vit duke kaluar dy nga ligjet më të debatuara që prej muajsh, pozicionuar në llogoren e debatit, dy forcat e mëdha të PD e PS./tvklan.al