Parlamenti ka miratuar ndryshimet e fundit qeveritare të paraqitura nga Kryeministri Ilir Meta. Sipas kryeministrit, ministri Ilir Zela nuk kishte përvojën e duhur në krye të Ministrisë së Punëve Publike ndaj është zëvendësuar me Spartak Poçin.

“Zoti Zela nuk pati përvojën e duhur vërtetë për t’u provuar, por më duket se isha i qartë në shpjegimin tim sepse e para zoti Poçi nuk hiqet nga qeveria, por nga ministri i Rendit shkon në Ministrinë e Punëve Publike, dhe së dyti për kohën që ka mbetur Industria e Punëve Publike është ndoshta një nga të vetmet që ne nuk kemi arritur dot të japim disa tregues të bindshëm për opinionin publik, përsa i takon ndryshimit të disa shërbimeve dhe sektorëve jetik që kanë të bëjnë me të. Dhe në këtë kuptim zoti Poçi ka një avantazh më të madh se zoti Zela dhe se shumë të tjerë që këtë sektor e njeh shumë mirë sepse ka një përvojë drejtimi rreth 30 vjeçare.”

Meta hodhi poshtë akuzat e opozitës për ministrin e Mbrojtjes Ismail Lleshi si pjesëtar komunist.

“Zoti Lleshi ka patur një funksion pothuajse fare të parëndësishëm për disa muaj në kohën e pluralizmit dhe në kohën e lulëzimit të Partisë së Punës dhe janë dhe shumë të tjerë që kanë qenë në kuadro të Partisë së Punës, shumë më të devotshëm se zoti Lleshi, që janë në krye të opozitës për fat të keq dhe sot pas 10 vitesh.”

Në përkrahje të ish ministrit të Rendit Spartak Poçi janë shprehur deputetët e opozitës, Laço, Vejsiu dhe Pollo. Në fund të seancës plenare, kryetari i komisionit të përhershëm parlamentar në BE Fatos Nano, informoi deputetët për dosjen që do të paraqitet nga ky komision në Bruksel. Në këtë dosje paraqitet situata politike parazgjedhore, arritjet në Rendin Publik, reformën gjyqësore dhe luftën kundër trafiqeve ilegale. Me këto objektiva synohet hapja e negociatave për marrëveshjen e asocimit të Shqipërisë në BE./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame