Jozefina Topalli: “Shumë e rëndë. Është shumë e turpshme, është e papranueshme, është shokuese. Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e Partisë Demokratike. Zotëria në fjalë ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar. Zotëria në fjalë nuk mund të trajtohet kaq butë sa e trajtoni ju zonjë. Jo jo. Është shumë e rëndë. Si kryetare e parlamentit nuk kërkoj heqje imuniteti të tij. I kërkoj që të lëshojë mandatin se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që ata e kanë votuar. Si nënë jam e tmerruar. Jam e frikësuar se kemi fëmijë dhe që mund të imagjinohet që këto burra të sillen në mënyrë të tillë. Përshëndes kryeministrin Berisha që për katër minuta e ka shkarkuar. Jam e tmerruar, po, nga burrat që dalin lakuriq, por të paktën kryeministri Berisha e shkarkoi brenda 4 minutash. Pyesni pak veten tuaj.”

Valentina Leskaj: “Zonja Topalli nuk ju shkon abuzivizmi. As mos mendoni se me abuzivizmin tuaj do të bëheni një organ për qeverinë e skandaleve. Unë e kam thënë qartë. Jo vetëm heqjen e imunitetit, por jam referuar edhe kodit penal që do të thotë që ky njeri duhet të shkojë atje ku e ka vendin. Ky njeri turpëron parlamentin, ky njeri duhet të iki nga parlamenti dhe ky njeri duhet të vejë në gjyq të përgjigjet në bazë të kodit të Republikës së Shqipërisë”.

Astrit Patozi: “Përfitoni politikisht dhe të ngrini kredencialet e rrënuara politike me një histori, e cila është mbyllur, me një histori e cila është mbyllur vetëm pesë minuta pasi shfaqja mbaroi mbrëmë në orën 09:00 të darkës. Një mazhorancë, një parti politike, një qeveri, një kryeministër nuk mund të gjykohet dhe nuk mund të vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh, secili prej nesh apo disa prej nesh mund të bëjnë apo mund të kryejnë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, por standardi përcaktohet nga mënyra se si reagohet dhe mënyra se si reflektohet dhe reflektimi reaktiv mbrëmë tregon standardin tonë, standard të cilin nuk e keni pasur kurrë. Ju keni kryetarin tuaj, i cili të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq përpara shqiptarëve. Askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për atë. Të gjithë ju dini dhe histori të tjera të rënda perversiteti të kryetarit të partisë tuaj në vilën e Pezës apo jashtë vilës së Pezës, por ju heshtni si peshku sepse ju jeni mësuar të bashkudhëtoni me skandalin, sepse ju jeni vetë skandali. Mjafton të sjellësh faqet e KPD-ve tuaja për të parë që ju jeni vetë skandali dhe jeni të pashpresë në tentativën për të përfituar politikisht nga një aksident personal dhe e ritheksoj është një aksident personal dhe përgjegjësia është individuale”.

Ilir Meta: “Duhet të kuptojmë se nuk mund t’i rrisim fëmijët në këtë vend me lakuriqësi politikanësh, me këtë shëmti të madhe, e cila neverit shqiptarët dhe i bën ata që të ndihen vërtet të pashpresë në këtë vend ku qeveritarët, ku politikanët tallen me hallexhinjtë, me fukarenjtë dhe me ata që duan ta nisin jetën nga e para duke mësuar punët e këqija që në fillim dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve të distancohen nga çdo lloj lakuriqësie e majtë-e djathtë sepse ne jemi shqiptarë, sepse ne kemi tradita kombëtare. Çdo njeri e shihni të bëjë ç’të dojë në jetën e vet, por jo në politikë dhe në jetën publike, ndaj dhe një herë i kërkoj zotit Pango që të mos vijë më në sallën e parlamentit dhe i kërkoj shqiptarëve të mos sjellin asnjë lakuriq në 28 Qershor këtu në sallën e parlamentit se u bëmë 20 vjet tranzicion, 20 vjet demokraci. Po na shisni perversitetet si modernitete në këtë vend”./tvklan.al