Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Parlamenti shqiptar me shumicë votash ka rrëzuar dekretin e presidentit Moisiu, për kthimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Bisht Pallës. Ndër 71 vota që duhej për t’u kaluar ky ligj, janë marrë 73, ndërsa 40 deputetë kanë votuar pro këtij dekreti.

Marrëveshja nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, për ndërtimin e godinës së komandës greke dhe mjediseve të akomodimit të personelit, si dhe thellimit të kanalit hyrës të basenit detar të Bisht Pallës është diskutuar dhe në komisionin e ligjeve, i cili e ka rrëzuar me shumicë votash këtë dekret. Ndërsa në komisionin e mbrojtjes është votuar pro tij.

Arben Imami:- “Nuk ka asnjë lloj dekreti presidencial, i cili mund të rrëzohet në vetvete. Ne mund ta kapërcejmë atë, duke e rivotuar ratifikimin, ose jo”.

Spartak Braho:- “Dekreti i presidentit për rishqyrtimin e një ligji, si në rastin konkret, e humbet fuqinë e tij, kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Kuvendit, që do të thotë, që dekreti i presidentit do të votohet dhe rrëzohet në qoftë se ai, kundër tij votojnë 71 vota, 71 deputetë dhe nuk rrëzohet, por merr fuqi kur kundër tij nuk votojnë 71 deputetë”.

Pasdite deputetët kanë miratuar dhe kalendarin dyjavor, me disa ndryshime në kodin zgjedhor. Miratimi i këtij kodi është rënë dakord të diskutohet në datën 19 në parlament, datë për të cilën nuk kanë rënë dakord partitë e vogla./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti