Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Servet Pëllumbi:- “Zotërinj deputetë duke ju uruar suksese ministrave që porsa votuam, deklarojë mbylljen e seancës dhe njëherësh të sesionit të 5-të të legjislaturës 16, Gëzuar Vitin e Ri! Sesioni tjetër do të hapet të hënën e tretë të Janarit, më 19 Janar. Urime për Vitin e Ri u takon edhe deputetëve që fatkeqësisht braktisën sallën”.
Nuk ka kaluar pa debate në parlament votimi i 19 dekreteve të Presidentit të Republikës me emrat e ministrave në kabinetin e ri Nano. Në fillim opozita deklaroi votën kundër qeverisë dhe më pas lideri i opozitës Sali Berisha, ndërsa vijonte procesi i votimit në sallën e Kuvendit, u largua, duke kërkuar për herë të parë falje ndaj publikut, për zgjedhjen e presidentit konsensual.
Sali Berisha:- “Ky president përfaqëson klanet kriminale të vendit, të drogës dhe korrupsionit, përfaqëson angjelët, nanot, Fatmir Xhafët, përfaqëson Igli Toskat, përfaqëson ata që dekretoi, s’përfaqëson absolutisht ata të cilët e propozuan dhe unë edhe njëherë s’kam alternativ tjetër veçse t’u kërkojë të falur shqiptarëve për propozimin e bërë dy vjet më parë”.
Pas kryetarit të PD, deputetët e opozitës bojkotuan seancën, me përjashtim të demokratëve të reformuar, të cilët u falënderuan nga kryeministri për votën e tyre kundër qeverisë.
Kryeministri Fatos Nano:- “Unë do të falënderoja dhe prezencën në seancë të grupit të PDR, me të cilët shpresojmë të ndërtojmë në proces një partneritet, për krijimin e kuadrit ligjor dhe për mbështetjen me iniciativa politike, të të gjithë kuvendit, të dialogut dhe të integrimit, të organizatave përfaqësuese të të përndjekurve dhe ish-pronarëve, në procesin e realizimit të zgjidhjeve që ata meritojnë dhe që i nevojiten gjithë vendit. Në komponentin tjetër, ne kemi detyra të rëndësishme të përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE dhe të vazhdimit të realizimit të reformave, të ristrukturimit të forcave të armatosura, për të bërë të mundur që Shqipëria, të plotësojë standardet e anëtarësimit në NATO, me samitin e Stambollit në vitin 2006. Unë besoj se mbështetja juaj do të shpërblehet me punë, rezultate dhe me kontakte politike dhe njerëzorë intensive nga anëtarët e kabinetit qeveritar që ju votuat. Ju faleminderit dhe ju urojë të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri! Mbarësi për 2004”.
Deputetët socialistë, që votuan kundër tre dekreteve të mëparshme të presidentit, të njohur si mbështetës të ish-kryeministrit Meta, si Gjergji Koja, Eduard Alushi dhe Ilir Zela, kanë votuar pro ndryshimeve në qeveri, ndërkohë që pjesa tjetër ka deklaruar, se ky rikompozim vjen si produkt i Kongresit të 6-të të PS, i cili shënoi regres jo vetëm në jetën politike të PS, por dhe për pluralizmin pluralizmin politik shqiptar. Qeveria aktuale e propozuar si fryt i një aleancë të re, nuk është gjë tjetër vetëm se qeveria e shpërblimit me poste të individëve brenda PS. Këta deputetë shprehen, se nuk mund të mbështesin një qeveri të tillë, e cila nuk zgjidh krizën e qeverisjes, por e thellon atë. Nuk përshin të gjitha kontributet e PS, por i përjashton ato./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj