Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dodë Prenga është anëtari i ri i KQZ. Kështu vendosën 75 deputetë, që votuan pro Prengës, përkundrejt 33 votave që mori rivali i tij Gjata në seancën e jashtëzakonshme plenare. Megjithatë edhe këtë herë nuk kanë munguar debatet. Kreu i grupit parlamentar të reformatorëve Nard Ndoka, ka kontestuar të dy kandidaturat, me pretendimin se ato vijnë nga PD.

Nard Ndoka:- “Nuk e kuptojë, se si mund të jetë deputet i partisë së zotit Laço, se nuk ia di as emrin e partisë, Shaban Memia, anëtar i kryesisë së PD. Nuk e kuptojë, se si mund të jetë Bardhyl Londo anëtarë i kryesisë së PD, deputet i partisë së Teodor Laços, por këto absurde zoti kryetar, ndodhin gjithmonë në marrëveshje të fshehta, ndodhin kur mundohen, që të përjashtohen parti politike, por nuk mendoj se kjo strategji do të vazhdojë më gjatë”.

Ndërsa kreu i demokratëve Sali Berisha ka sqaruar se gjithçka është bërë në bazë të marrëveshjes PD+BF, por edhe mbi ligjin për zgjedhjet.

Sali Berisha:- “Këto parti, kanë pasur një marrëveshje, të pranuar dhe të firmosur nga komisioni juaj, i cili ka pranuar mënyrën e ndarjes së përqindjeve pas zgjedhjeve. Është gjithçka në përputhje me ligjet. Asgjë më absurde nuk ka, se të përpiqemi të abrogojmë ligjet dhe të mos njohim ato që janë vendosur”. Kandidatura e Prengës ka marrë pro edhe vota të krahut të majtë, por një pjesë e socialistëve kanë kundërshtuar atë.

Lekë Çukaj:- “Duke firmosur më shumë se gjysma e deputetëve mbështetës, të cilët kanë dalë në zgjedhjet e fundit me siglën BF+PD. Në këtë kuptim, duke parë dhe kodin zgjedhor, i cili përjashton kategorikisht përfshirjen e partisë së madhe opozitare, në këtë përfshirje, në këtë paraqitje, në këtë kuptim, unë kundërshtova”.

Ndërkohë që Dodë Prengës do t’i kalojë mandati i anëtarit të KQZ, i zgjedhur nga votat e Kuvendit, ndërsa për dy mandatet e tjera tashmë të skaduara, pritet të votojnë përkatësisht KLD dhe Presidenti i Republikës./tvklan.al