4 parodistët e Vlorës, Afrim Agalliu, Agron Hamo, Muhamet Lika dhe Mane Lumani janë dekoruar nga Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Titulli i lartë u është dorëzuar atyre nga ministrja e Kulturës Esmeralda Uruçi gjatë një ceremonie spektakël të zhvilluar në sallën e teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës.
Artisti i mirënjohur Mirush Kabashi që drejtori spektaklin ftoi në skenë Artistin e Popullit Kadri Roshi i cili foli për kontributin e parodistëve vlonjatë duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që kanë luajtuar ata në zhvillimin e vështirë të gjinisë së parodisë. Parodistët vlonjatë përshëndetën me këtë rast artistët e humorit si Zef Deda, Koço Devole, Luftar Paja, Roland Koça, Muharrem Hoxha, Zamira Kita, Agron Llakaj, Agim Bajko e të tjerë.
Nëpërmjet humorit dhe batutave, ata krijuan figurën dhe rolin e tyre në zhvillimin e humorit shqiptar. Parodistët e Vlorës kontribuojnë në skenën shqiptare prej më shumë se 30 vite. Në arkivën e tyre të interpretimit janë mëse 300 parodi dhe 450 skeçe pa përmendur këtu dhe gjini të tjera të humorit./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori