Partia Socialiste i ka kërkuar mazhorancës të tërheqë projektligjin që synon të amendojë ligjin ekzistues për Shërbimin Informativ Shtetëror.
Vetë kryesocialisti Rama në një deklaratë për shtyp i bëri thirrje kryeministrit Berisha të reflektojë ndaj shqetësimit të opozitës dhe ambasadës amerikane në Tiranë për draftin në fjalë.
Edi Rama: “Kemi pritur 3 ditë me radhë reagimin e zotit Berisha për deklaratën shumë shqetësuese të Ambasadorit Withers cili në emër të aleatit më të madh të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës vuri alarmin për një projektligj të ulët në qëllim, të rrezikshëm në përmbajtje dhe të shëmtuar në formë që nuk e ka pëlqimin e partnerit tonë kryesor. Unë i bëj thirrje zotit Berisha të tërheqë menjëherë, pa humbur asnjë ditë, projektin e turpshëm të kthimit të Shërbimit Informativ të Shtetit në SHIK-un famëkeq që përgjonte dhe përndiqte kundërshtarët e pushtetit në politikë,mediat në shoqërinë civile.”
Rama ka deklaruar se synimi i mazhorancës që me anën e një ligji të tillë të ngjallë SHIK-un e dikurshëm është një arsye më shumë për të protestuar për të rrëzuar këtë qeveri, që sipas tij kërkon të mbahet në këmbë duke përgjuar dhe përndjekur kundërshtarët./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka