Arkiva Lajme _ Tv Klan 1999
Ashtu si dhe përkrahësit e tij Kryeministri Majko e ka konsideruar sot të pabazuar në statutin e PS, kërkesën për rimbledhjen e Kongresit të 3 të kësaj partie. Kryeministri Majko ka shprehur vendosmerine e tij për të mos marrë pjesë në këtë aktivitet të cilin ai nuk e konsideron më as Kongres dhe as vazhdim të Kongresit të 3 të PS.
Sipas tij kjo kërkesë është një precedent që nuk do të ndikonte pozitivisht në zhvillimet e përgjithshme politike në vend. Majko i ka denoncuar këto ngjarje si të dëmshme dhe ka vlerësuar se ato do të ndikonin në mënyrë negative në stabilitetin e vendit, në vazhdimësinë e reformës dhe punën në administratën publike.
Ndërkohë kryesocialisti Fatos Nano sot ka komunikuar faktin se seanca e të premtes e Kongresit thirrej nga përfaqesia e Kongresit të 3 të PS në përputhje me pikën 3 të rendit të ditës, zgjedhja e organeve drejtuese, për të amenduar nenin 15.7 në statutin e PS. Sipas zyrës së shtypit të PS kryetarë e kësaj partie në rrethe po mbajnë kontakte me aparatin qëndror të partisë dhe kanë garantuar pjesmarrjen e delegatëve në seancën e së premtes.
Kryetari i PS Fatos Nano ka theksuar se ashtu si të gjithë titullarët e tjerë të institucioneve të zgjedhura nga PS janë nën vëzhgimin e partisë për të ushtruar me pjekuri pushtetin që ju jep mandati dhe vota e lirë e partisë. Sipas deklaratës e bërë publike nga zyra e shtypit në PS, kryetari Nano ka shprehur bindjen dhe besimin se delegatët e Kongresit do respektojnë ashtu si deri tani misionin e tyre statutor dhe mandatin që u kanë dhënë strukturat e partisë që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në Kongresin e 3-të të PS./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame