Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Socialiste duket se është e vendosur për të mos bërë ndryshime në qeveri deri në fundin e vitit 2004. Këtë e konfirmoi pas mbledhjes së kryesisë, sekretari i përgjithshëm i partisë Gramoz Ruçi.

Gramoz Ruçi: “Kryeministri, pret që të bëjë analizat përkatëse të këtij viti qeverisës, të kabinetit të tij qeveritar në tërësi dhe të dikastereve në veçanti dhe nëse do t’i rezultojë e nevojshme apo e domosdoshme ndryshime në kabinet, këto do të jenë problematik për shqyrtim apo për diskutim, apo për propozim nga kryeministri sipas Kushtetutës pas këtij viti kalendarik.”

Ruçi pranoi, se kryeministri Nano po zhvillon bisedime bilaterale me aleatët, përsa i takon qeverisjes dhe mbështetjes në parlament dhe se në ditët e ardhshme do të mblidhet tryeza e koalicionit për integrim. Kryesia e PS miratoi ngritjen e strukturës së re të komiteteve zonale elektorale për 100 zonat zgjedhore. Kryetari, nënkryetari dhe sekretari i këtij komiteti do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë.

Votimi për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi është prekur në kryesi dhe kryeministri Nano e ka quajtur këtë çështje votim politik dhe jo personal. Nuk dihet nëse kupola socialiste ka diskutuar mbi rrjedhjen e anëtarësisë, por gjatë paradites sekretari i përgjithshëm i partisë kundërshtoi deklaratat e LSI, për largimin e 6 mijë anëtarëve socialistë.

Gramoz Ruçi: “Është e vërtetë, se me LSI kanë kaluar 9 deputetë të PS, por është po kaq e vërtetë që s’ka kaluar asnjë anëtar i lartë i udhëheqjes së PS, pra anëtar i KPD-së, anëtar i kryesisë së partisë, anëtar të komiteteve drejtuesen rrethe, anëtarë të kryesisë në rrethe, apo të zgjedhur tek PS. Kryesisht siç i keni ndjekur aktivitetet e LSI, ajo ka kandiduar apo ka emëruar në krye të degëve të saj nëpër rrethe, disa kandidatë që kanë konkurruar për kryetarë të PS të degëve lokale.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj