Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Socialiste përjashton nga gjiri i saj të gjithë anëtarët e partisë, që pavarësisht nga tesera që mbajnë në xhep, kandidojnë si të pavarur apo për partitë e tjera rivale.

Bardhyl Agasi:- “Kandidatë të tillë, çregjistrohen menjëherë nga Partia Socialistë dhe gjatë fushatës do të trajtohen si kundërshtarë politikë”.

Edhe pse kjo ishte një nga pikat e parashtruara për qëndrim në letrën e deputetit Dritan Prifti, drejtuar kryesisë së partisë, për të nuk është diskutuar.

Bardhyl Agasi:- “E gjithë vëmendja sonte, i gjithë diskutimi në mbledhjen e kryesisë, ishte për fushatën zgjedhore dhe me këtë rast unë iu konfirmojë gjithashtu, që hapja e fushatës do të bëhet ditën e hënë në datën 1 Shtator, ora 12, në sallën e Pallatit të Kongreseve”.

Pas tre orë diskutimesh, mbledhja e kryesisë së PS miratoi platformën elektorale, planin e veprimtarive për komitetet drejtuese në rrethe, anëtarët e kryesisë do të jenë të deleguarit në fushatën e çdo rrethi, ndërkohë që në hapje do të jetë vetë kryetari i PS Fatos Nano.

Bardhyl Agasi:- “Vota për ne, pushtet për ju”.

Një slogan dhe shumë parulla parashikon PS në zgjedhjet lokale. Sekretari për marrëdhëniet publike në PS Bardhyl Agasi shpalosi dhe afishet që do të shoqërojnë sfondin e mitingjeve elektorale, si “E ardhmja në duart tuaja”, “Krahaso dhe voto”, “Mbështetu tek ne për të ruajtur ekuilibrin tënd”, “Drejt Europës”, si dhe “Në syrin tonë vizioni për të ardhmen”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj