Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Kryesinë e Partisë Socialiste mëngjesin e kësaj të premteje.
Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri tha se pritet që të ketë diskutime për disa vendime politike që nuk lidhen vetëm me PS, por edhe me disa propozime që ka bërë PD.
Në mbledhjen e shkuar, me drejtuesit e qarqeve, Rama vendosi që të jepte dakordësinë për ngritjen e një Komisioni për Reformën Zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Dhe ky komision pritet që të ngrihet së shpejti. Socialistët kanë vendosur që Sekretari i Përgjithshëm të jetë i zgjedhur si bashkëkryetar i këtij Komisioni për mazhorancën.
Po ashtu gjatë ditës së sotme është parashikuar që kryeministri Edi Rama të ketë një mbledhje me kryetarët e bashkive. Kjo është mbledhja e dytë me ta në pak ditë.
E ndërsa më parë pati në fokus mbetjet, sot pritet që Rama t’u flasë për ujësjellësat duke marrë shkas edhe nga situata në Krujë me helmimin masiv të qytetarëve.
Kjo lidhet edhe me kërkesën e vazhdueshme të Ramës që kryebashkiakët të marrin masat që ky sektor të mos kthehet në bazë punësimesh të pamerituara. /tvklan.al