Socialistët kanë mbajtur në Berat, protestën e radhës për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit nën moton “Ku është vota ime”.

Edhe pse të majtët e konsiderojnë si një bastion të tyre qytetin e Beratit pjesëmarrja ne miting nuk ishte ajo që pretendohej prej tyre.

Autobusët e ardhur nga rrethe, nuk kanë mundur të mbushnin sheshin kryesor të qytetit.

Në fjalën e tij kryetari i PS, Rama, tha se fati i kësaj beteje nuk varet nga dëshira e grabitësve të votës, por nga vendosmëria për të mos u tërhequr nga kjo rrugë.

Edi Rama: “Më lejoni që unë edhe në emrin tuaj edhe në emrin e gjithë socialistëve e progresistëve në gjithë Shqipërinë ti përgjigjem atij apeli që bëri këtu avokat Ngjela në 20 Nëntor në Tiranë, për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe të korrupsionit elektoral. Në 20 Nëntor në Tiranë për të parë votën tonë, në 20 Nëntor në Tiranë për të hapur kutitë e votave tona, në 20 Nëntor në Tiranë për ta çliruar votën tonë nga presioni deformues i shtetit bërë njësh me pushtetin.”

Sipas Ramës, qëllimi për hetimin e zgjedhjeve, është që kjo maskaradë, sipas tij, të mos përsëritet më.

Ai shtoi se frika për të hapur kutitë është prova e së vërtetës, prej së cilës opozita nuk do të tërhiqet asnjëherë.

Edi Rama: “Dikush më tha ju lutem mos na tradhtoni, mos hyni në parlament. Është një kërkesë që e dëgjojmë kudo, e dëgjojmë përditë, e dëgjojmë në çdo bisedë, me këdo që është i interesuar që kësaj maskarade zgjedhore që zgjat prej 20 vjetësh, por që në 28 Qershor arriti kulmin e saj, t’i jepet fund dhe unë po përsëris përgjigjen time për të gjithë ju që e keni këtë merak ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në parlament për tu bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve.”

Protesta e socialistëve në Berat, vjen në një kohë kur i gjithë faktori politik e diplomatik, gjithë institucionet ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Ramës që të lejojë deputetët e PS që të shkojnë në Kuvend./tvklan.al