Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Aleati i socialistëve në koalicionin për integrim Lufter Xhuveli ka kundërshtuar ndryshimin e pragut elektoral. Sipas agrarëve rritja nga 2.5 në 5% do të përkeqësonte situatën politike me një parlament bipolar, çfarë do të sillte bllokimin e punimeve të Kuvendit.

Lefter Xhuveli: “A mund të mendohet që dy partitë, apo dy polet të përfaqësuara a dy parti, të mund të zgjidhin dhe të kapërcejnë ngërçet politike që herë pas here shfaqen në Parlamentin Shqiptar? Kjo do ishte e pamundur, ca më tepër kur kemi të bëjmë me tendencën për të eliminuar një të tretën e përfaqësimit të elektoratit shqiptar që ka gjetur veten tek dy partitë e tjera dhe jo tek dy paritë e mëdha”.

Sipas Xhuvelit, Kushtetuta nuk duhet prekur as në rastin e balancimit të KQZ. Partia Agrare Ambientaliste nuk kundërshtoi sërish mundësinë e bashkëpunimit me partinë e re të socialistëve. Vetë përfaqësuesit e LSI shprehem se nuk ndihen të kërcënuar nga ndryshimi i pragut elektoral.

Ndre Legisi: “Na vjen keq që kjo çështje ngrihet kryesisht nga dy partitë e mëdha dhe ca më tepër ngrihet nga disa individë të cilët qoftë edhe për arsye fizike e kanë të vështirë që ta kapërcejnë pragun për veten e tyre”.

Për demokratët e reformuar rritja e pragut elektoral përkthehet si kërcenim i dëshpëruar i partisë në pushtet ndaj deputetëve socialistë që po largohen dhe partive aleate që synojnë braktisjen.

Nard Ndoka: “Jo në 5% por mendoj që me 10% me këtë qeverisje që ato kanë bërë gjatë këtyre viteve besoj se vetë PS rrezikonte të ishte një forcë parlamentare duke pasur parasysh edhe përçarjet e fundit të kësaj partie, pasi numrat e tyre janë në fijen e perit dhe si duket me të tilla broçkulla do mendojnë që të ushtrojnë një presion ndaj partive aleate”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj