Lajme Arkiva 2003

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i shoqëruar nga nënkryetari i kësaj partie Nertian Alibali dhe sekretari i përgjithshëm Aleksandër Garuli, vijuan turin elektoral në Burrel, Koplik dhe Gjirokastër.

Në këto takime kreu republikan Mediu i bëri thirrje elektoratit që më 12 tetor të votojnë për Partinë Republikane sepse vizioni ynë është një Shqipëri e respektimit të ligjit dhe të së drejtës, shteti i ekonomisë së tregut dhe i respektimit të pronës private, një Shqipëri me biznes dhe ekonomi të zhvilluar.

Ne, vazhdoi Mediu, do të japim më shumë mundësi kreditimi dhe lehtësi fiskale, ne do të mbrojmë të drejtat e emigrantëve shqiptarë kudo që ndodhen dhe do të përpiqemi të shuajmë njëherë e përgjithmonë gjakmarrjen në Shqipëri duke respektuar forcën e ligjit.

Nga qyteti i Përrenjasit kreu demokristian Nikollë Lesi sulmoi politikanët e vjetër të këtyre 12 viteve të cilët kanë sjellë konflikte dhe sherre në vend. Ata me politikën e tyre nuk pranojnë ti hapin rrugë emrave të rinj në dy krahët e politikës, ndaj me votën tuaj, tha Lesi duhet të largoni këtë politik të vjetër e cila po gllabëron forcat intelektuale të cilat duan progres.

Nikollë Lesi: Boll më keni votuar për politikanët që sjellin sherre dhe konflikte në Shqipëri. Votoni për politikanët e rinj që të sjellin, punë, mirëqenie,rrugë,  investime që duan dhe jo politikanët 12 vjeçar.

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Prof.Dr. Lufter Xhuveli vazhdoi turin e fushatës elektorale në Skrapar, Berat dhe Kuçovë ku prezantoi kandidatët për këshilltarë. Partia Agrare Ambientaliste në këto rrethe kandidon më vete në listat e saj.

Në Skrapar ajo kandidon mbi 80 kandidat për këshilltarë  në 10 komuna dhe bashki. Në Berat me 140 kandidatë në 12 komunat dhe bashkitë dhe për kryetar komune në Poshnje, kurse në Kuçovë me 50 kandidatë në 3 komuna.

Xhuveli ftoi elektoratin që të marrin pjesë masivisht në votime dhe të votojnë për Partinë Agrare Ambientaliste e cila meriton votën e tyre për programin e saj progresist.

Partia Agrare Ambientaliste vjen në këto zgjedhje më e fuqishme dhe prezantohet me kandidatët më të mirë, të cilët pas 12 tetorit do ta justifikojnë votën e elektoratit.

..

Takimet e radhës të drejtuesve të Partisë Lëvizja e Legalitetit ishin Bashkia e Kukësit dhe komunat e këtij rrethi. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu në fjalën e tij fillimisht  theksoi se pjesëmarrja dhe entuziazmi juaj tregojnë mbështetjen e plotë ndaj Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe 15 kandidatët e të gjitha njësive vendore të rrethit të Kukësit.

Duke vazhduar më tej Spahiu tha se zgjedhjet e 12 tetorit nuk janë zgjedhje të radhësh por janë zgjedhje shumë të rëndësishme politike për të ardhmen e shqiptarëve dhe të vendit.

“A do të vazhdojmë në rrugën e deri tanishme të zgjedhjeve të manipuluar me rezultate të kontestuar që nuk përputhen me votën e elektoratit apo do të shkëputemi përfundimisht nga manipulimi i votës dhe verdikti i popullit”, pyeti Spahiu.

Më tej ai ju drejtua të pranishmëve të shumtë se ne legalistët dalim para jush me sloganin ne dimë ta duam Shqipërinë që përputhet plotësisht me bindjen dhe qëndrimin tuaj me sakrificën dhe gjakun tuaj në mbrojtje të trojeve amtare./tvklan.al