Po pritet vetëm krisma e startit për të nisur fushatën përnjëmend. Partitë politike në Kosovë thonë se janë të gatshme që me 15 tetor të nisin garën.

Lutfi Haziri: “Do të fillojë në afatin e parë që i jepet mundësi ligjore për të qenë në publik dhe për të prezantuar në publik strategjinë e vet zgjedhore.”

Haziri nuk jep shumë detaje, por siç merr vesh Klan Kosova LDK-ja tubimin e parë do ta ketë me 15 tetor në pallatin e rinisë duke filluar nga ora 18 në mungesë të kryetarit të partisë fushatën do ta hapë pikërisht ai dhe kandidati për Prishtinë Isa Mustafa.

Aleanca e Ramush Haradinajt pritet të jetë e para që nis fushatën. Duke filluar nga ora 13 po në të njëjtin vend me LDK-në.

“Takimi i parë do të jetë takim i përgjithshëm. Ne si subjekt në nivel vendi hapim fushatën zgjedhore pastaj vazhdojmë me fushatat veç e veç për komunat dhe me kandidatët për kryetar, duke vazhduar ditën e nesërme me kandidatët për Prishtinën dhe me kandidatët për Podujevën.”

 Për dallim nga LDK-ja në AAK do të jetë lideri i partisë ai që do ta hapë fushatën. Aleanca Kosova e Re edhe pse ka bërë të gjithë përgatitjet ka pasur probleme të tjera. Ajo nuk ka arritur të ketë një vend ku do të mbajë takimin e hapjes së fushatës.

“Hapja e fushatës në nivel qendror do të bëhet në Prishtinë me datën 15, në orën 12. Kemi qenë të shtrënguar që fushatën zgjedhore ta hapim në vend të hapur. Kjo do të ndodhë në sheshin Nënë Tereza.”

Edhe këtu do të jetë presidenti i partisë ai që do tu drejtohet i pari simpatizantëve. Partia Demokratike  e Kosovës ende nuk tregon si do ta nisë fushatën.

Megjithatë merret vesh se dhe ky subjekt politik do t’i fillojë me 15 Tetor nga salla e kuqe e pallatit të rinisë ta kërkojë votën e qytetarëve. Në këtë parti thanë se fushata do të fillojë dhe do të përfundojë më së miri./tvklan.al