Partitë opozitare në vend kanë marrë mbështetjen nga delegacioni i përfaqësuesve të partive popullore evropiane për zgjedhjet e pritshme parlamentare. Në bisedimet që kanë zhvilluar me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, kryetarin e Partisë Demokrate të Re Genc Pollo dhe republikanin Fatmir Mediu, ata janë njohur me shqetësimet e opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo çështje u diskutua gjerësisht me kryedemokratin Berisha.
Sali Berisha: “I njoha veçanërisht me krimin e organizuar, me trafiqet, korrupsionin, me përpjekjet e Partisë Demokratike, alternativën e saj për të dalë nga kjo situatë. Në mënyrë të veçantë u ndalën te zgjedhjet e lira, mungesa e tyre në Shqipëri përpjekjet tona për një proces të lirë dhe të ndershëm.
“Jemi këtu që të shikojmë nga afër zhvillimet demokratike në këtë vend si dhe për të parë përgatitjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një problem i madh ky për Shqipërinë për të përmbushur standardet evropiane. Tema e parë e diskutimeve për Shqipërinë në Evropë është që ju duhet të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
Reformatorët e kanë parë të domosdoshme ndihmën e partive popullore evropiane në mënyrë që opozita të bëhet më e besueshme për elektoratin.
Genc Pollo: “Zoti Krosker sapo u shpreh që kërkohet një zgjidhje dhe një kompromis për ligjin zgjedhor. Shpresojmë që atë ta arrijmë dhe shpresojmë që çdo gur që është vënë në rrugë të hiqet sa më shpejt edhe me ndihmën e këtij delegacioni nëse do të ndikojë.”
Më pas takimet e delegacionit kanë vijuar me republikanët.
Famtir Mediu: “Të gjitha partië e opozitës duhet të kenë vëmendjen se si duhet të punojnë me partitë popullore evropiane, me fondacionet përkatëse të tyre në mënyrë që të ketë një menaxhim të qartë të fushatës elektorale për të shmangur manipulimin e zgjedhjeve, në radhë të parë, por njëkohësisht edhe për t’u dhënë shqiptarëve shpresën që duan.”
Përfaqësuesit e delegacionit të partive popullore evropiane kanë siguruar se do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zhvillimin dhe emancipimin e saj për realizminin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqetësimet e opozitës shqiptare do të përcillen edhe pranë selisë qendrore të partive popullore evropiane. /tvklan.al