Partizani synon të kthehet te fitorja në takimin e ditës së hënë në transfertë me Bylisin. Trajneri Aleksandar Veselinoviç vlerëson mallakastriotët, por thotë që lojtarët duhet të tregojnë në fushë atë që ka fanella e ekipit që të arrijnë objektivat sezonalë në fund.
“Jam i sigurtë që do të luajmë ndaj një tjetër skuadre shumë të mirë. Përpara një jave ata arritën 3 pikët ndaj Vllaznisë. Kanë dhuruar paraqitje mjaft të mira ndaj Egnatias, Vllaznisë. Ne kemi ambiciet tona, të jemi të qartë, duhet të jemi në nivelin e klubit dhe emrit Partizani kjo është ajo që synojmë”, tha ai.
Tirana do të luajë me Teutën. Pas 1 fitoreje dhe 3 barazimeve radhazi nën drejtimin e Gugash Maganit, vetë trajneri thotë se priste më shumë dhe se kthesa duhet që në sfidën e së hënës.
“Kalendari sa vjen dhe ngjeshet. Është ndeshje e rëndësishme për ne ashtu si dhe tjerat. Do të futemi për fitore. Nga 12 pikë që kam nën drejtimin tim kemi marrë 6 dhe unë jam i pakënaqur nga pritshmëritë e mia”, tha ai.
Këto takime do të mbyllin javën e 17 të Superiores.
Tv Klan