Pas 1 jave, më 6 Shkurt, Gjykata e Krimeve të Rënda pritet që të shqyrtojë ankimimin e bërë nga ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit ankimoi vendimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda për zgjatjen me 3 muaj të hetimeve ndaj tij.

Sipas Tahirit, vendimi i datës 17 Janar 2019 është i pabazuar në ligj dhe në prova, që ka si qëllim zvarritjen e hetimit dhe vonimin e dhënies së drejtësisë. Shtyrja e fundit e hetimeve për Tahirin është e pesta në radhë nga nisja e procedimit penal ndaj tij.

Koha shtesë, sipas prokurorëve, nevojitet për pritjen e një letër-porosie nga Mali i Zi dhe një tjetër nga autoritetet italiane të drejtësisë. Ish-ministri Tahiri po hetohet për trafik të lëndëve narkotike, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion.

Ndërkohë edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim si pjesë e grupit të “Habilajve” kundërshton në gjykatë shtyrjen e afatit të hetimit dhe përfundimin e hetimit. Gjykata e shtyu seancen për në 11 Shkurt. Ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës me grupin Habilaj.

Urdhër-arrestet për Jaeld Çelën dhe dy ish-zyrtarët e tjerë të policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode u lëshuan në Nëntor të vitit 2017, por ende nuk janë ekzekutuar. Po sot u mësua se avokati Detar Hysi është dorëhequr nga mbrojtja e njërit prej të pandehurve të dosjes “Habilaj”, Nezar Seitit, i ekstraduar në Itali pak muaj më parë.

/abcnews.al