Lajme Arkiva 2004

Pas urimit të Kurban Bajramit në komunitetin mysliman ish kryeministri Ilir Meta i është drejtuar  për herë të parë mbarë opinionit publik, pra jo vetëm atyre që ai konsideron socialist të ndershëm. Zoti Meta  ju përgjigj akuzave të një dite më parë të selisë rozë dhe Ministrisë së Rendit Publik, si dhe akuzoi qeveritarët me bizneset e tyre për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

Ilir Meta: Deklaratat identike, të bëra dje nga sekretari i partisë dhe nga ministri i policisë, në sinkron të plotë me njëra tjetrën, tregojnë qartë para gjithë shqiptarëve, por edhe para ndërkombëtarëve, se klika në fuqi e ka shndërruar dhe po e shndërron Partinë Socialiste nga një parti Demokratike në një parti policeske dhe po e shndërron policinë e shtetit, nga një polici e ligjit në një polici politike. Të gjithë shqiptarët, të gjithë socialistët e ndershëm e kanë kuptuar se morali im është prej kristali dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat  e tyre, për asnjë lloj afere trafiqesh apo  korrupsioni. Edhe ndonjë nga ata që opinioni publik ka dyshuar në të kaluarën se nën hijen e Ilir Metës mbronte bizneset apo trafiqet e tij, sot është në prehrin e klikës. Pra sot jam më i lirë  se asnjëherë tjetër për pohuar moralin tim dhe fakti që flas në këtë mënyrë, prej kohësh dhe që denoncoj pa kompromise këtë klik tregon shumë qartë se akuzat e tyre janë shpifje të rëndomta. Me akuzat e tyre, atako vetëm që nuk hedhin dot asnjë hije dyshimi për mu, por përkundrazi ata kërkojnë të mbulojnë 2 miliardë dollarë drogë, që ka qarkulluar sipas vetë agjencive më të besueshme perëndimore, në një vit , gjatë qeverisjes aktuale nëpërmjet  Shqipërisë. Në qoftë se duan të gjejnë se kush janë ata që bashkëpunojnë me trafikantët e drogave të shikojnë se vëllezërit, nipërit dhe kushërinjtë e cilëve qeveritar janë ata që janë ndaluar nga policia italiane, evropiane  por edhe shqiptare, po  të duan të gërmojnë edhe më tej, le të kontrollojnë linjat e autobusëve Tiranë- Athinë. Le të kontrollojnë bizneset që shërbejnë si koperturë për të lëvizur lumenj droge nëpërmjet Shqipërisë. Aritmetikën e tyre të kapjes së drogës nuk e beson njeri, sepse të gjithë e din se gjatë kësaj periudhe policitë  evropiane kanë kapur drogë që ka kaluar nëpërmjet Shqipërisë shumë më tepër se sa kanë kapur gjatë  gjithë periudhës së tranzicionit. Për sa i takon ndonjë servili komik të Partisë Socialiste unë dua të shpreh keqardhjen dhe sigurisht të  reflektoj, për këta servilë vërtet komik, të cilët dikur kanë qenë edhe servil të mitë kur kam qenë kryeministër.

Meta dënoi qëndrimin  e kreut të qeverisë ndaj tragjedisë së 9 janarit në Karaburun dhe kërkoi gjetjen e gomones së dytë.

Ilir Meta: Lëvizja ime është tashmë shumë e qartë, ajo është një lëvizje që shkon drejt opinionit publik që shkon drejt qytetarëve, që shkon drejt të gjithë socialistëve të ndershëm , që nuk mund të pranojnë të torturohen  më nga kjo klikë, e cila para se të shpifë dhe të akuzojë ish kryeministrin  e tyre duet të mbajë përgjegjësi penale për 30 shqiptarët që vrau në Karaburun. Sepse duke dashur të fshehë trafiqet e saj dhe implikimet e veta për 15 orë la dhjetëra shqiptarë të pafajshëm  në mëshirë të detit,  në mëshirë të një dite dhe një nate të tmerrshme vetëm e vetëm për të fshehur krimin dhe implikimin e tyre. Le të gjejnë gomonen e dytë dhe le të tregojnë se çfarë kishte ajo.

Së bashku me urimin për besimtarët mysliman, ish kryeministri e vlerësoi rritjen e çmimit të bukës  si çmim të varfërimit të përditshëm.

Ilir Meta: Të gjithë të përpiqen për të bërë mirë. Të gjithë të përpiqen për të zhvilluar më tej mirësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin në këtë vend dhe sigurisht të mos bëjnë si kjo qeveri e pashpirt, që pikërisht sot në ditën  e Kurban Bajramit, rriti dhe çmimi e bukës, që nuk është çmimi që duhet të paguajnë qytetarët e Shqipërisë por pseudoreformat e tyre, por është çmimi i varfërimit të përditshëm që duhet të paguajë shumica dërrmuese e qytetarëve  të Shqipërisë për monopolet e tyre./tvklan.al