Pas skandalit me videon e zv.Kancelarit të Austrisë Heinz-Christian Strache, Kancelari austriak ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.

“I kam sugjeruar Presidentit të Republikës që të mbahen zgjedhje të reja, sa më shpejt që të jetë e mundur”

, bëri të ditur Kancelari Sebastian Kurz.

“Pas videos së djeshme, duhet të them mjaft. Mjaft është mjaft. Pjesa serioze e kësaj video ishte sjellja ndaj abuzimit të pushtetit, duke bërë marrëveshje me paratë e taksapaguesve, me mediat”

, tha Kancelari i Austrisë, duke shtuar se ndihej i ofenduar nga kjo video.

Në videon e publikuar nga mediat gjermane “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung”, zv.Kancelari austriak Heinz-Christian Strache takohet me një investitore nga Rusia që pretendon të jetë e bija e një oligarku. Ai i kërkon asaj të blejë 50% të aksioneve të “Kronen Zeitung”, një prej të përditshmeve më të mëdha vendase, e cila do të ndryshojë linjën editoriale për të mbështetur partinë e tij. Në këmbim, ai i ofron asaj akses të gjerë në tenderat e ndërtimit të autostradave.

Pas publikimit të video-skandalit, zv.Kancelari dha dorëheqjen. Partia e tij e ekstremit të djathtë në Austri është në koalicion qeverisës me Partinë Popullore të Qendrës së Djathtë të Sebastian Kurz.

/tvklan.al