Për herë të parë në më shumë se 200 vjet, Katedralja Notre-Dame në Paris nuk do të mbajë meshën e Krishtlindjes, kjo pasi vazhdojnë ende punimet pas zjarrit të rënë në prill.

Mesha e mesnatës do të kryhet, por në kishën Saint-Germain l’Auxerrois, thanë zyrtarët.

Katedralja gotike 850-vjeçare, një sit i Trashëgimisë Botërore të Unesco, u dogj dhe u dëmtua rëndë në muajin prill të këtij viti.

Presidenti Emmanuel Macron është shprehur se kjo kishë do të rindërtohet plotësisht brenda një afati kohorë prej 5 vitesh, shkruan BBC.

Shkaku i zjarrit mbetet ende mister, por hetuesit po punojnë mbi pistën e një pakujdesie të mundshme.

Një cigare e hedhur diku pa fikur ose një defekt elektrik, janë ndër shkaqet e mundshme që po merren parasysh.

Zyrtarët thanë se deri më tani nuk është gjetur asnjë provë që hedh dyshime për një krim të qëllimshëm. /tvklan.al