Dy partitë opozitare Demokracia Sociale dhe Aleanca Demokratike kundërshtojnë qëndrimin e fundit të Partisë Socialiste për të realizuar reformën zgjedhore në komisionin e ligjeve dhe jo në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore.
Krerët e dy partive në fjalë Paskal Milo dhe Neritan Ceka deklarojnë se ky qëndrim është vazhdimi marrëveshjes mes PD dhe PS, që në mënyrë të qëllimshme sabotuan komisionin e reformës zgjedhore që po vetë e ngritën.
Paskal Milo: “Është një lëvizje e paramenduar, e parapërgatitur e lidershipeve të dy partive të cilëve u intereson që të mos bëjnë debate publike në prani të aktorëve të tjerë politikë apo të grupeve të interesit sepse në këtë mënyrë petët e lakrorit të tyre do të zbulohen fare hapur dhe shumë shpejt.”
Neritan Ceka: “Kur evitohen disa mekanizma parlamentare që synojnë jo vetëm të krijojnë konsensuse, por edhe krijojnë ligje të qëndrueshme edhe të krijojnë pastaj edhe institucione të gjithë pranuara. Pra mënjanimi i komisioneve të posaçme parlamentare të cilat kanë qenë praktika e të gjitha reformave zgjedhore të kryera deri tani.”
Komisioni i reformës zgjedhore të cilës i mbaroi mandati prej dy muajsh për gati një vit arriti të mblidhej pak herë dhe duke mos arritur të miratonte asnjë amendament për kodin zgjedhor./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama