Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Aleati i socialistëve Paskal Milo një ditë pas tryezës së koalicionit sqaron se nuk do të ketë balancim të KQZ. Por ashtu si partia mëmë dhe partitë e tjera të majta, as të zënë dhe as të lëshojnë.

Paskal Milo: “Nuk flitet për balancim të KQZ, sepse ky term veçse prek Kushtetutën dhe ndryshon në thelbin e vetë gjithçka që është shkruar në Kushtetutë për KQZ. Ajo çka i duhet KQZ është që të respektohet Kushtetuta dhe nëpërmjet interpretimit të Kushtetutës, të mund të bëhen ndryshimet e domosdoshme dhe të nevojshme në përbërjen e KQZ. Nuk bëhet fjalë për një ndarje të tortës së KQZ, bëhet fjalë për të respektuar Kushtetutën, e cila nuk e ndanë përbërjen e KQZ, në parcela politike, por ka parasysh këtu institucionet tashmë të njohura që propozojnë anëtarët e KQZ. Pra flitet dhe do flitet dhe do gjykohet për persona dhe jo për përfaqësues politik të segmenteve të caktuara të politikës shqiptare.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbën kërkesën kyçe të Partisë Demokratike, për reformën zgjedhore, por dhe ndërkombëtarët kanë kërkuar paanshmëri dhe një përbërje të KQZ, e cila duhet të shënojë progres. Paskal Milo tha, se lideri i socialistëve ka premtuar se nuk do të përdoret e drejta e vetos, kundër interesave të aleatëve në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, por partitë e vogla të sprovuara në koalicione me socialistët nuk u zënë ende besë premtimeve të një nate më parë.

Paskal Milo: “Jemi në një mënyrë se në një tjetër vigjilentë dhe shumë të kujdesshëm për të mos qenë shumë optimistë, por duke shpresuar se në fund të fundit PS ka nevojë për aleatët dhe se kemi një rrugë të gjatë për të bërë së bashku.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj