Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Paskal Milo, ministër i Jashtëm:- “Mbledhja e Këshillit të Natos me Shqipërinë sikurse është njoftuar edhe përmes televizionit shqiptar, u mbajt para dy ditësh. Synimi ishtë që të diskutohej nga afër situate në Shqipëri dhe sidomos në kufirin me Kosovën, në lidhje me zhvillimet e fundit atje dhe masat që duhet marrë me qëllim që shqipëria të përballoj çdo lloj situate të rrezikshme që mund të paraqitet nga zhvillimet në Kosovë. Unë u takova me zotin Solana, u takova dhe me ambasadorin amerikan në Nato me të cilin bisedova dhe gjëra konkrete rreth mbështetjes amerikane për Shqipërinë dhe pastaj kaluam në mbledhjen e Natos ku një numër i madh ambasadorësh mbështetën Shqipërinë, vlerësuan lartë politikën shqiptare gjatë procesit të Rambujesë. Në të njëjtën kohë dhanë garanci për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë. Po kështu u vendos të përshpejtohen të gjitha projektet që ka Nato me Shqipërinë. Për herë të parë Nato ishte e gatshme për të kryer edhe funksione te tjera siç është ndihma humanitare. Vetë zoti Solana kishte folur me Ogatën në Gjenevë për të përshpejtuar ndihmën humanitare për shqipërine dhe shqiptarët në lidhje me situatën në Kosovë”.
Gazetarja:- Keni kontaktuar së fundmi me personalitete ndërkombëtare?
Paskal Milo, ministër i Jashtëm:- “Sapo kam mbaruar tani një numër konsultimesh me ambasadorët e vendeve të ndryshme. Po kështu para disa minutash kam thirrur këtu shefin e misionit të UNHCR dhe kam folur me të për të përballuar situatën në mënyrë emergjente të refugjatëve. Kemi folur dhe për pajisje urgjente për përballimin e fluksit të refugjatëve që vijnë edhe nga Shkupi. Nuk ka shqetësim për 10-15 mijë veta. Infrastruktura është e përgatitur është e gatshme, qoftë në ushqime, qoftë në veshmbathje, qoftë edhe në akomodimin e tyre”.
Gazetarja:- Ndërkohë Millosheviçi vazhdon masakrën në Kosovë, cilat janë rrugët që ju vlerësoni për të dalë nga kjo gjendje?
Paskal Milo, ministër i Jashtëm:- “Ne mendojmë se nuk ka rrugë tjetër veçse Nato të vazhdoj misionin e vetë deri ne fund. Me Millosheviçin janë provuar të gjitha rrugët dhe e vetmja rrugë që ai ka kuptuar gjithmonë është ajo e forcës. Qeveria shqiptare mbështet sulmet e Natos derisa Millosheviçi të nënshkruaj dokumentin e Rambujesë”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego